Fillimi i procesit mësimor në Kosovë është shtyrë deri më 12 janar 2026, për shkak të reshjeve të fundit dhe situatës së rënduar në disa zona të vendit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) tha se ka marrë këtë vendim pas vlerësimeve nga terreni dhe paralajmërimeve për përkeqësim të mëtejmë të motit.
“Për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, kemi marrë vendim që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri më 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin e ministres në detyrë të Arsimit, Arërie Nagavcit.
Sipas MAShTI-së, pushimi dimëror do të vazhdojë edhe për dy ditë, më 8 dhe 9 janar, për shkak të vërshimeve dhe vështirësive në qarkullim në shumicën e komunave.
“Reshjet e vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, mund të shkaktojnë vërshime lokale, vështirësi në komunikacion dhe pengesa në trafik”, thekson ministria.
MAShTI bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me drejtoritë komunale të arsimit dhe se, bazuar në informacionet e pranuara, është konstatuar se fillimi i mësimit të enjten nuk është i mundur.
“Bazuar në informacionet nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur”, thuhet më tej në njoftim.
Procesi mësimor për gjysmëvjetorin e dytë do të nisë të hënën, më 12 janar 2026, ndërsa orët e humbura do të zëvendësohen më vonë.
“Orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”, njofton MAShTI.
