Të fundit

PDK ankohet në PZAP, kërkon anulimin e votave me postë

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar anulimin e votave me postë që u pranuan pas datës 29 dhjetor të vitit 2025.

Në ankesën që e deponoi të enjten në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PDK-ja arsyeton se votat u pranuan jashtë afatit ligjor, pasi sipas ligjeve në fuqi, votat e dërguara me postë pranohen vetëm “deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00”.

“Pra bëhet fjalë për mbi 20,000 pako me fletëvotime që janë tërhequr dhe proceduar pas afatit ligjor, pa asnjë bazë normative në ligj”, thuhet në ankesën e PDK-së.

Në po të njëjtën ankesë, PDK thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka krijuar standard të paligjshëm për vlefshmërinë e votës, duke e relativizuar afatin ligjor.

“Një veprim i tillë cenon thelbin e procesit zgjedhor dhe e minon besimin publik në administrimin e drejtë dhe të barabartë të zgjedhjeve”, thotë kjo parti.

Tutje, PDK ankohet se pranimi i këtyre votave ka ndikuar edhe në përbërjen e drejtpërdrejtë të Kuvendit.

“Pasojat e këtij administrimi të kundërligjshëm nuk janë thjeshtë teorike dhe hipotetike, por janë shumë konkrete, të matshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ankesë.

Partia Demokratike e Kosovës humbi një mandat në Kuvend, pikërisht pas numërimit të votave me postë.

“Sipas përditësimeve zyrtare të rezultateve zgjedhore dhe raportimeve publike, si rezultat i procedimit dhe numërimit të këtyre fletëvotimeve të pranuara pas afatit ligjor, subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës ka humbur tashmë një mandat parlamentar, duke rënë nga 23 në 22 ulëse në Kuvend”, argumenton PDK.

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, ka komentuar ankesën duke thënë se PDK-ja është ankuar “kundër votave të mërgatës kur e panë që dështuan ta pengonin e ta pamundësonin votimin përmes postës”.

“Vet e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së që prej themelimit të saj e deri tek ky i sotit përmes kësaj ankese të turpshme kundër mërgatës”, ka shkruar ai në Facebook.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci