Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë 35-vjeçar pas një incidenti që ndodhi të premten pasdite pranë hyrjes së një stacioni policor në Ferizaj, ku u raportua sjellje agresive dhe mosbindje ndaj urdhrave policorë.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:40 të 9 janarit 2026, një zyrtar policor i caktuar në detyrë te porta hyrëse e stacionit ka raportuar se një veturë me targa të huaja ishte parkuar para hyrjes dhe se drejtuesi i saj nuk po i bindjej urdhrave për t’u larguar.
Në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarë të tjerë policorë për asistencë. Policia thotë se i dyshuari, i identifikuar me inicialet A.N., ka përdorur vazhdimisht fjalë fyese dhe kanosëse ndaj policëve, duke shfaqur sjellje agresive dhe mosbindëse.
Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari dyshohet se u është vërsulur zyrtarëve policorë, çka i ka detyruar ata të përdorin sprej mbrojtës dhe ta arrestojnë atë. Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta.
Rasti është marrë nën trajtim nga Njësia e Hetimeve Rajonale, e cila ka intervistuar të dyshuarin. Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti penal “sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.
