Kosova po ballafaqohet me vështirësi serioze në sektorin energjetik.
Të mërkurën, në qytete të ndryshme të vendit kanë nisur reduktimet e furnizimit me energji elektrike.
Reduktimet vijnë disa orë pas alarmit të ngritur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për reduktime si pasojë e mbingarkesës së shkaktuar në rrjetin energjetik.
Reduktimet do të aplikohen në mënyrë që të ruhet siguria e sistemit energjetik, tha KOSTT në një njoftim për media.
Si pasojë, disa lagje në kryeqytet për më shumë se një orë kanë mbetur pa rrymë. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë dhe disa qytete të tjera të vendit.
KOSTT tha se gjatë ditës së sotme dhe të nesërme Zona e Kontrollit e KOSTT-it po operon me jo-bilanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 megavatë.
KOSTT ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë e tij si operator i sistemit dhe tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore. Megjithatë, për shkak të dallimit të madh ndërmjet nominimeve të deklaruara dhe konsumit real, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo-bilancat e krijuara.
Sipas KOSTT-it, këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, duke rritur rrezikun për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe duke mundësuar pasoja serioze, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.
Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit dhe mbrojtjen e integritetit të rrjetit, KOSTT ka theksuar se do të aplikojë kufizime të ngarkesës sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.
Institucioni ka shtuar se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit të sistemit, do të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme për rikthimin e operimit normal.
