Ambasada ruse në Serbi ka kumtuar se nuk e njeh vendimin Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy “diplomatëve” rus persona non grata dhe ka pretenduar se “këtë hap të Prishtinës e konsideron provokim”, transmeton gazeta ruse në gjuhën serbe Sputnik.
“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, dhe me këtë as Qeverinë e Kosovës dhe strukturat e tjera. Për ne, asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore. Bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB -së, ne jemi duke bashkëpunuar me UNMIK-un për këtë çështje”, kanë thënë për Sputnik në shërbimin për media të ambasadës ruse, transmeton Paparaci.
Në ambasadën ruse theksojnë se “përpjekjet për të penguar diplomatët e akredituar në UNMIK që të kryejnë aktivitetet e tyre ‘në përputhje me ligjin ndërkombëtar’ janë absolutisht të papranueshme”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më herët gjatë ditës së sotme ka deklaruar se dy zyrtarë të zyrës së Kosovës së Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi janë shpallur persona non grata sepse aktivitetet e tyre të dëmshme rrezikonin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës./Paparaci.
