Të fundit

Në Supreme, Paparaci me padi kërkon anulimin e disa dispozitave të Rregullores së KPK-së

Në Gjykatën Supreme të martën u administruan provat dhe u dha fjala përfundimtare në rastin ku përmes padisë, media Paparaci ka kërkuar anulimin e disa dispozitave të Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë dhe anulimin e procesit për zgjedhjen e anëtarit prokuror të KPK-së.

Paparaci ka kërkuar të anulohet neni 5, paragrafi 1 dhe 2, si dhe neni 10, paragrafi 11 dhe 12 i Rregullores së KPK-së për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së, e cila ishte miratuar më 3 shtator 2025, dhe të anulohet procesi për zgjedhjen e anëtarit prokuror- në këtë rast Elza Bajrami-Kastratit.

Me padi është kërkuar edhe masa e përkohshme- pezullimi i zbatimit të neneve të lartpërmendura të Rregullores së KPK-së dhe pezullimi i efekteve juridike të zgjedhjes së kandidatit fitues deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, raporton të mërkurën portali Betimi për Drejtësi.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i Paparacit, avokati Driton Muharremi tha se këto dispozita cenojnë parimet kushtetuese.

“Vlerësojmë se këto dispozita kanë prodhuar efekte juridike në procesin zgjedhor, duke vendosur rregulla që kalojnë kornizën ligjore dhe duke cenuar parimet kushtetuese ligjore të barazisë, pjesëmarrjes dhe legalitetit”, tha Muharremi.

Por, ndryshe nga Muharremi mendojnë përfaqësuesja e KPK-së, Saranda Sokoli-Berisha dhe avokati i prokurores Elza Bajrami-Kastrati si palë e tretë, Kujtim Kërveshi.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës në njërin nga takimet e tij, me vendim e ka themeluar grupin punues për hartimin e draft-rregullores për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së”, tha Saranda Sokoli-Berisha.

Ndërsa, avokati Kërveshi theksoi se në padi më shumë gjejmë referime si interes individual sesa kolektiv.

“Çështja e parë që është ngritur para jush është çështja e diskriminimit. Kjo çështje në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj të veçantë. Aty duhet pasur një kategori. Paditësi nuk është referuar në asnjë lloj kategorie se çfarë është diskriminimi. Në padi, ju do të gjeni shumë herë më shumë referime si interese individuale sesa si interese kolektive. Padia e ushtruar para kësaj gjykate më datë 10.11.2025, kryesisht i referohet një interesi privat, i cili nuk është shpalosur në padi”, ka thënë Kërveshi.

Me deklarimin e Kërveshit përfundoi edhe administrimi i provave, e që pastaj gjyqtarja Delushe Halimi tha se do të kalohet tek fjala përfundimtare.

Avokati Muharremi kërkoi që kërkesëpadia e Paparacit të aprovohet në tërësi.

“I propozoj gjykatës që pas administrimit të provave, të sjell aktgjykim me të cilin aprovohet në tërësi kërkesëpadia e Paparaci Media Shpk me drejtor Vehbi Kajtazin në Prishtinë”, u shpreh Muharremi.

Në anën tjetër, Sokoli-Berisha dhe Kërveshi kërkuan refuzim në tërësi të padisë dhe propozimit për caktimin e masës së përkohshme.

“I propozojmë kësaj gjykate që të refuzojë në tërësi si të pabazuar padinë dhe propozimin për masë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit dhe të mbetet në fuqi akti nënligjor i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, vazhdoi Sokoli-Berisha.

“Mbetem në tërësi pranë propozimit që kemi dhënë si në parashtresë për refuzimin e propozimit për masën…”, tha Kërveshi.

Ndryshe, Paparaci Media Sh.p.K me drejtor Vehbi Kajtazin më 10 nëntor 2025 ka paditur Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ka kërkuar të anulohet neni 5, paragrafi 1 dhe 2, si dhe neni 10, paragrafi 11 dhe 12 i Rregullores së KPK-së për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe të anulohet procesi për zgjedhjen e anëtarit prokuror- në këtë rast Elza Bajrami-Kastratit. Me padi është kërkuar edhe pezullimi i zbatimit të dispozitave të lartpërmendura të Rregullores së KPK-së dhe pezullimi i efekteve juridike të zgjedhjes së kandidatit fitues deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Në padi thuhet se KPK-ja në takimin e 3 shtatorit 2025 ka miratuar Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së. Sipas padisë, kjo Rregullore përmban dispozita që bien ndesh me normat kushtetuese dhe ligjore, duke cenuar parimet e ligjshmërisë, barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe hirerakisë së akteve juridike.

Dispozitat kontestuese, sipas padisë, janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin e KPK-së dhe parimet e përgjithshme të së drejtës administrative dhe publike.

Në padi thuhet se Rregullorja dhe njoftimi për shpalljen e zgjedhjeve të 22 shtatorit 2025, kanë vendosur kriter të ri që nuk është paraparë me ligj, duke kufizuar të drejtën e kandidimit vetëm për prokurorët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar.

Kështu, thuhet se Komisioni Zgjedhor i KPK-së gjatë organizimit të zgjedhjeve të datës 1 nëntor 2025, ka përjashtuar nga e drejta e votës prokurorët e Prokurorisë së Apelit, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe Prokurorët e Zyrës së Kryeprokurort të Shtetit. Andaj, thuhet se procesi i votimit u kufizua vetëm në prokurorët e prokurorive themelore, ndonëse ligji kërkon pjesëmarrjen e të gjithë prokurorëve të shtetit.

Sipas padisë, ky përjashtim ndikoi drejtpërdrejt në ligjshmërinë, barazinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor. Aty thuhet se me këtë përjashtim, KPK-ja shkeli disa nene të Kushtetutës që kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si dhe nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me ndalimin e diskriminimit.

Andaj, Paparaci përmes padisë ka kërkuar të anulohen dispozitat e lartpërmendura të Rregullores së KPK-së dhe të anulohet procesi i zgjedhjes së kandidatit fitues dhe njoftimi përkatës. Në rast të mosveprimit vullnetar nga i padituri KPK, zbatimi i aktgjykimit të realizohet përmes përmbarimit të detyrueshëm.

Gjithashtu, me padi është kërkuar edhe caktimi i masës së përkohshme- pezullimi i zbatimit të nenit 5, paragrafi 1 dhe 2, si dhe nenit 10, paragrafi 11 dhe 12 të Rregullores së KPK-së për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së.

Po ashtu, paditësi kërkon të pezullohen efektet juridike të zgjedhjes së kandidatit të shpallur fitues në bazë të kësaj Rregulloreje dhe njoftimit përkatës, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar dhe të plotfuqishëm të gjykatës mbi ligjshmërinë e këtij akti.

Në anën tjetër, e paditura KPK më 21 nëntor 2025 ka ushtruar përgjigje në padi, duke kundërshtuar në tërësi pretendimet e paraqitura në padi, dhe ka kërkuar të refuzohet në tërësi kjo padi si e pabazuar.

Po ashtu, e paditura kërkoi refuzimin e kërkesës për caktimin e masës së përkohshme, për mungesë të plotë të legjitimitetit për ushtrimin e padisë dhe humbjen e afatit ligjor për paraqitjen e padisë.

Në përgjigje në padi thuhet se paditësi nuk ka të drejtë, privilegj apo interes juridik që mund të preket nga Rregullorja e kontestuar, dhe se paditësi nuk është subjekt i cenimit të ndonjë të drejte.

Ndryshe, lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarit të KPK-së, Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila ka aprovuar propozimin e paditëses/propozueses Elza Bajrami-Kastrati, duke caktuar masën e sigurisë- pezullimin e ekzekutimit të vendimit të KPK-së për refuzimin e certifikimit të rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së, ku Bajrami-Kastrati ishte renditur si kandidate për anëtare me më së shumti vota.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci