Të fundit

Kundërpërgjigje publike e PaparaciMedia SHPK

Drejtori i Paparacit, Vehbi Kajtazi i është kundërpërgjigjur zërave që kontestojnë mungesën e legjitimitetit të padisë së ushtruar në Gjykatën Supreme nga PaparaciMedia Sh.P.K kundër Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në kundërpërgjigjen publike të PaparaciMedia Sh.P.K thuhet se ekziston lidhje reale mes veprimtarisë së paditësit, Paparacit si medium, dhe interesit publik që preket drejtpërdrejt nga akti i kontestuar – pra Rregullorja e KPK-së për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë.

“PaparaciMedia SHPK është një medium investigativ, veprimtaria kryesore e të cilit konsiston në informimin e publikut, mbikëqyrjen e pushtetit publik dhe ekspozimin e shkeljeve institucionale. Kjo veprimtari përbën një funksion kushtetues dhe demokratik të medias, të njohur gjerësisht si public watchdog, dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë juridike dhe faktike me interesin publik që synohet të mbrohet”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Në njoftim, po ashtu thuhet se çështja e ligjshmërisë së rregullores së KPK-së “mbetet një çështje me rëndësi të lartë publike” dhe se ajo duhet të trajtohet mbi bazën e meritës juridike të aktit, “e jo të kufizohet përmes një interpretimi formalist restriktiv të legjitimitetit aktiv”.

Të martën, në Gjykatën Supreme u administruan provat dhe u dha fjala përfundimtare në rastin ku përmes padisë, PaparaciMedia Sh.P.K ka paditur Këshillin Prokurorial të Kosovës me kërkesë për anulimin e disa dispozitave të Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë.

PaparaciMedia Sh.P.K., përmes aktpadisë, ka kërkuar gjithashtu anulimin e procesit të zgjedhjes së një anëtari prokuror të KPK-së, të zhvilluar më 1 nëntor.

Në padi thuhet se Rregullorja dhe njoftimi për shpalljen e zgjedhjeve të 22 shtatorit 2025, kanë vendosur kriter të ri që nuk është paraparë me ligj, duke kufizuar të drejtën e kandidimit vetëm për prokurorët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar.

Njoftimi i plotë:

KUNDËRPËRGJIGJE PUBLIKE

Në emër të PaparaciMedia SHPK

PaparaciMedia SHPK vlerëson debatin juridik rreth çështjes së legjitimitetit aktiv dhe interesit publik, por ndien nevojën të sqarojë disa keqinterpretime thelbësore që po paraqiten në opinion.

Së pari, legjitimiteti aktiv nuk buron ekskluzivisht nga statusi jofitimprurës, por nga lidhja reale dhe substanciale ndërmjet veprimtarisë së paditësit dhe interesit publik që preket drejtpërdrejt nga akti i kontestuar. Neni 25(3) i Ligjit Nr. 08/L-182 nuk përjashton në mënyrë absolute subjektet fitimprurëse nga ushtrimi i mjeteve juridike në mbrojtje të interesit publik, por kërkon që ekzistojë një interes i ligjshëm dhe konkret, i cili në rastin konkret është i pranishëm.

PaparaciMedia SHPK është një medium investigativ, veprimtaria kryesore e të cilit konsiston në informimin e publikut, mbikëqyrjen e pushtetit publik dhe ekspozimin e shkeljeve institucionale. Kjo veprimtari përbën një funksion kushtetues dhe demokratik të medias, të njohur gjerësisht si public watchdog, dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë juridike dhe faktike me interesin publik që synohet të mbrohet.

Së dyti, pretendimi se vetëm prokurorët individualë mund të konsiderohen bartës të interesit publik në këtë kontekst është juridikisht i kufizuar. Kur një rregullore institucionale prodhon efekte të përgjithshme dhe cenon transparencën, llogaridhënien dhe besimin publik në sistemin e drejtësisë, interesi publik shtrihet përtej interesit individual të anëtarëve të KPK-së dhe bëhet objekt mbrojtjeje edhe nga subjektet që ushtrojnë funksion informues dhe kontrollues në shoqëri.

Së treti, jurisprudenca bashkëkohore dhe standardet evropiane për lirinë e medias dhe qasjen në drejtësi e njohin të drejtën e mediave që, në rrethana të caktuara, të iniciojnë procedura juridike kur kufizohen apo deformohen mekanizmat e transparencës dhe ligjshmërisë në institucionet publike. Mohimi apriori i kësaj të drejte do të krijonte një precedent të rrezikshëm për kufizimin e rolit të medias dhe dobësimin e kontrollit demokratik.

Në përfundim, PaparaciMedia SHPK nuk pretendon të zëvendësojë subjektet e prekura drejtpërdrejt, por ushtron të drejtën e saj ligjore dhe kushtetuese për të vepruar në mbrojtje të interesit publik, kur ky interes lidhet ngushtë me misionin e saj themelor si media dhe me të drejtën e publikut për transparencë dhe sundim të ligjit.

Çështja e ligjshmërisë së rregullores së KPK-së mbetet një çështje me rëndësi të lartë publike dhe duhet të trajtohet mbi bazën e meritës juridike të aktit, e jo të kufizohet përmes një interpretimi formalist dhe restriktiv të legjitimitetit aktiv.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci