Shefja e re e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh nga Libani, mbërriti në Kosovë si e dërguara e re speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe ka deklaruar se UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetjen e dialogut të BE-së për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe paqes afatgjatë dhe pajtimit.
“Mezi pres të angazhohem me autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë dhe rajon. Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të vazhdojë angazhimin e tij për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në arritjen e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese nëpërmes të avancimit të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit midis komuniteteve dhe fuqizimit të bartësve të ndryshimit pozitiv, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë. UNMIK do të mbetet i palëkundur në mbështetjen e tij për dialogun e udhëhequr nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe paqes dhe pajtimin afatgjatë”, ka thënë Ziadeh, transmeton Paparaci.
Sipas UNMIK-ut, Ziadeh ka qenë drejtoreshë e Departamentit për Organizata Ndërkombëtare, Konferencës dhe Çështjeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit që nga viti 2017. Ajo ka gati 30 vjet përvojë në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjera për OKB-në, pasi ka udhëhequr delegacionet libaneze në OKB për të drejtat e njeriut, agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë dhe migrimin.
Ish-Zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të Libanit në OKB në Nju Jork (2006-2017), Ziadeh ka shërbyer në ambasadat libaneze në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), Belgjikë dhe Bashkimin Evropian (1994-1999), si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe ambasadat në Austri, Kroaci dhe Sllovaki (1999-2002).
Ajo ka diplomuar dhe magjistruar në shkencat ekonomike dhe politike në Universitetin e Libanit në Bejrut dhe ka diplomuar në marrëdhëniet ndërkombëtare nga “Libre de Brussels” dhe në Akademinë Diplomatike në Vjenë. Flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht./Paparaci
