Shkruan revista “Politico”
Bombardimet amerikane në Iran kanë përkeqësuar paranojat e presidentit rus dhe dëshirën e tij për të fituar në Ukrainë.
Herën e fundit kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli bombarduan Iranin, një gazetar e kishte pyetur Vladimir Putinin se cili do të ishte reagimi i tij nëse lideri suprem i Iranit do të vritej në sulm, shkruan revista e njohur “Politico”.
“As nuk dua ta diskutoj”, ishte përgjigjur presidenti rus.
Më pak se nëntë muaj, pasi Ajetollah Ali Khamenei vdiq në bombardimet SHBA-Izrael të shtunën, Putinit nuk i ka mbetur gjë tjetër veç të reagojë.
Vrasja do të ketë nxitur dy instinkte fort të thella të Putinit: paranojën me rrënjë të thella rreth jetëgjatësisë së tij në pushtet dhe hovi i tij për mbijetesë politike e përcaktuar nga fitorja në Ukrainë – me çfarëdo çmimi.
Të dyja këto instinkte u shfaqën në deklaratat e shkurta në faqen e Kremlinit, në të cilat Putini e dënoi duke e quajtur vdekjen e Khameneit si “vrasje… e kryer nga shkelja cinike e të gjitha normave të moralit njerëzor dhe rendit ndërkombëtar”.
Ishte reagim më i fuqishëm sesa ai i arrestimit të aleatit rus, Nicolas Maduros së Venezuelës.
Mirëpo ishte e dukshme që Putini nuk i përmendi me emra shtetet që ia vranë aleatin.
Mentaliteti i bunkerit
Në rrethet ruse, vdekja e Khameneit ka nxitur krahasime me rënien e një tjetër diktatori.
Pamjet nga xhirimet telefonike të Muammar Gaddafit tek rrihej për vdekje pas intervenimit të NATO-s, e ka lënë të tmerruar Putinin, thotë gazetari rus, Mikhail Zygar.
“Ata i treguan krejt botës se si është vrarë ai, i mbuluar në gjak”, tha Putini i nevrikosur në një konferencë për media atë kohë. “A është kjo demokraci?”.
Në maj të vitit 2012, jo fort larg pas rrëzimit të Gaddafit, Putini u kthye në presidencë pas qëndrimit si kryeministër. Ai e mori postin me mision për të thyer Perëndimin dhe kritikët e tij, të cilët i akuzoi se po punonin me armiqtë e Rusisë për të marrë pushtetin.
Me kalimin e viteve, Putini ra në izolim të thellë.
Gjatë pandemisë së COVID-19, zyrtarët rusë ishin të obliguar të qëndronin disa metra larg presidentit. Ndërveprimet me publikun ende janë me koreografi.
Lideri i vrarë opozitar, Alexei Navalny e quajti atë “gjyshi në bunker”, fjali që e përshkruante pallatin luksoz në të cilin jeton Putini dhe në të ka rrjetin e tuneleve më shumë se 50 metra nën tokë.
Rrëzimi i dy aleatëve padyshim se do të thellojë paranojën e Putinit.
Analistët rusë të televizioneve hapur e kanë kritikuar SHBA-në dhe presidentin Trump.
Alexander Dugin, analistë proluftës dhe ultranacionalist, paralajmëroi se Washingtoni mund të jetë duke planifikuar të bëjë të njëjtën gjë me Rusinë.
“Një nga një, aleatët tanë sistematikisht po eliminohen. Është e qartë se kush e ka radhën dhe është edhe më e qartë se çfarë do të thonë negociatat me një armik të tillë”, shkroi ai duke iu referuar bisedimeve të paqes me Ukrainën.
Ndërkaq mediumi pro-Kremlinit Segodnya.ru ka shkruar një opinion me titullin: “Si do të na vrasin neve”
