Është ndaluar një zyrtar i SHSKUK-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit, zyrtari i IT-së me inicialet L.J., thuhet se veprën e ka kryer në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integirmi i sistemit të kontrollit të qasjes”.
Hetimi mbi të ka zgjatur disa muaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton Prokuroria.
“Prokurori i çështjes, lidhur me këtë rast është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, derisa ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale”, shkruhet në njoftim.
Sipas të dhënave publike kontrata e QKUK-së për furnizim dhe montim të kamerave për të cilën dyshohet se është ndaluar L.J., peshon 104 mijë euro. Ajo është nënshkruar në shtator të vitit 2020.
