Inteligjenca artificiale është “një forcë e pandalshme” që po përdoret si armë në mënyra që janë shumë larg luftës tradicionale, paralajmëroi të mërkurën shefja e spiunazhit kibernetik të Britanisë.
Inteligjenca artificiale është “një forcë e pandalshme” që po përdoret si armë në mënyra që janë shumë larg luftës tradicionale, paralajmëroi të mërkurën shefi i spiunazhit kibernetik të Britanisë, shkruan NewsPressNow.
Anne Keast-Butler, drejtoreshë e agjencisë së inteligjencës së komunikimit GCHQ, tha se Britania dhe aleatët e saj janë në “një hapësirë midis paqes dhe luftës”, ndërsa Rusia rrit “aktivitetin e saj të përditshëm hibrid” kundër Perëndimit – edhe pse vdekjet e rusëve në luftime në Ukrainë i afrohen shifrës 500,000.
“Kam kaluar tre dekada duke punuar në sigurinë kombëtare dhe rreziku i llogaritjeve të gabuara është më i lartë se kurrë më parë”, tha Keast-Butler.
Ajo tha se “kompanitë e teknologjisë po publikojnë inovacione të drejtuara nga inteligjenca artificiale me një ritëm të jashtëzakonshëm, me pasoja të pallogaritshme, pasi algoritmet përdoren si armë shpesh pak nën pragun e luftës tradicionale”.
“IA është një forcë e pandalshme me mundësi të mëdha”, shtoi ajo. “Por është gjithashtu një forcë me rreziqe”.
Keast-Butler e veçoi Rusinë si një kërcënim, duke akuzuar Moskën për “shënjestrimin e pamëshirshëm të infrastrukturës kritike, proceseve demokratike, zinxhirëve të furnizimit dhe besimit publik” në Britani dhe Evropë, si dhe për vjedhjen e teknologjisë dhe planifikimin e përpjekjeve për sabotim dhe vrasje.
“Rusia po rrit aktivitetin e saj të përditshëm hibrid kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës, duke u shtrirë nga shtrati i detit deri në hapësirën kibernetike”, i tha ajo një audience me ekspertë të informatikës, diplomatë, gazetarë dhe zyrtarë të lartë.
