Të fundit

Çfarë kishte brenda thesarit të kreut të Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro

Sekuestrimi i pasurive me vlerë mbi 200 milionë euro, të lidhura me aktivitetet e kreut të Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, i arrestuar në vitin 2023 dhe i ndarë nga jeta pak muaj më vonë, ka treguar se si Cosa Nostra arriti për dekada me radhë të investonte dhe shumëfishonte fitimet nga trafiku i drogës në vende të ndryshme të botës, duke fshehur origjinën e tyre.

Kjo u bë përmes dhjetëra llogarive bankare dhe kompanive të shpërndara në Spanjë, Zvicër, Ishujt Kajman dhe Liban, duke krijuar një pasuri që financoi blerjen e pronave dhe aseteve luksoze dhe që deri më tani kishte mbetur në dispozicion të organizatës mafioze.

Operacioni i gjerë që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e kësaj pasurie u koordinua nga Drejtoria Antimafia e Palermos, në bashkëpunim me autoritetet e vendeve të ndryshme.

Hetimi u përqendrua veçanërisht te menaxhimi i pasurisë nga trafikanti i drogës Giacomo Tamburello, një ish-tregtar veshjesh shumë i afërt me Messina Denaron, si dhe nga djali i tij Luca dhe ish-bashkëshortja Maria Antonina Bruno. Të tre u arrestuan me akuzën për përdorim të parave me origjinë kriminale, të rënduar nga favorizimi i mafias. Shifra prej 200 milionë eurosh konsiderohet vetëm një vlerësim fillestar. Hetuesit besojnë se pasuria e krijuar nga Messina Denaro përmes aktiviteteve të Tamburellos mund të jetë edhe më e madhe. Rrjeti i kompanive të përfshira ka ndërtuar ndër vite një strukturë komplekse dhe të fragmentuar, e cila ka lejuar fshehjen e origjinës së paligjshme të parave dhe investimin e tyre në sektorë të ndryshëm.

Në Liban, për shembull, u sekuestruan më shumë se 680 mijë aksione të Intercontinental Bank of Lebanon. Këto aksione ishin në emër të kompanisë Cinzano Ltd, e regjistruar në Ishujt Kajman, ndërsa llogaria bankare ndodhej në Luksemburg, pranë Bemo Europe-Banque Privée S.A. Ky mekanizëm kishte mundësuar grumbullimin e pothuajse 80 milionë eurove, të cilat prokuroria i përshkroi si një “kasafortë familjare” në dispozicion të Tamburellos. Sipas hetimeve, ai vepronte nën mbrojtjen e figurave të rëndësishme të Cosa Nostra-s dhe i dorëzonte Messina Denaros rreth 10 për qind të fitimeve të tij.

Me mekanizma të ngjashëm, para të tjera pastroheshin përmes dhjetëra kompanive investimi me seli jashtë Italisë, si në Spanjë – përmes kompanive Lujo Family Office dhe Smiley Bubbles – apo në Gjibraltar. Autoritetet sekuestruan gjithashtu dhjetëra llogari bankare: tre në Andorrë, tridhjetë në Spanjë, njëmbëdhjetë në Luksemburg, një në Principatën e Monakos dhe një në Zvicër.

Përmes këtyre fitimeve, familja Tamburello kishte blerë edhe një sërë pasurish luksoze, të cilat gjithashtu u sekuestruan. Mes tyre janë 22 prona, përfshirë resorte luksoze në Marbella, Benahavis dhe Puerto Banús në Spanjë, si dhe gjashtë automjete, ndër të cilat një Porsche Carrera dhe një Land Rover Defender.

Hetimet zbuluan se vetëm nga qiradhënia e vilës në Marbella, familja përfitonte rreth 24 mijë euro në javë. Pasuria përfshinte edhe 12 kilogramë shufra ari të ruajtura në Luksemburg.

Hetime të mëparshme mbi pasurinë e grumbulluar nga Messina Denaro kishin treguar se ai përdorte persona të afërt për të pastruar fitimet nga trafiku i drogës dhe për t’i investuar ato në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Mes tyre ishte Vito Nicastri, sipërmarrës nga Trapani i njohur si “Mbreti i energjisë së erës” për investimet në energjitë e rinovueshme; Giuseppe Grigoli, i cili siguroi fitime të mëdha përmes zinxhirëve të shpërndarjes ushqimore; si dhe Giovanni Savalle, që menaxhonte fshatra turistike, apartamente dhe struktura të tjera turistike në emër të tij.

Në rastin e familjes Tamburello, hetimi nisi pas një sinjalizimi nga një bankë në Andorrë, ku jetonte ish-bashkëshortja Maria Antonina Bruno. Banka kishte kërkuar informacione nga autoritetet italiane sepse Bruno, e cila zyrtarisht figuronte si amvise, zotëronte një pasuri të konsiderueshme: rreth 1.5 milionë euro vetëm në Andorrë dhe 12 milionë euro të tjera në llogari të ndryshme në Luksemburg. Kur iu kërkuan shpjegime, Bruno deklaroi se ishte e ve dhe se bashkëshorti i saj i kishte lënë një trashëgimi të madhe.

Sipas hetimeve, familja Tamburello po planifikonte të transferonte një pjesë të pasurisë në Dubai, ku besonte se do të ishte më e lehtë të shmangeshin hetimet, sekuestrimet dhe kontrollet e autoriteteve. Megjithatë, hetimi i Drejtorisë Antimafia të Palermos përfundoi përpara se transferimi të realizohej.

Po sipas hetuesve, një pjesë e fitimeve të kësaj pasurie u përdor nga Matteo Messina Denaro për të përballuar shpenzimet mjekësore të trajtimit të kancerit në zorrën e trashë, sëmundje që më pas i shkaktoi vdekjen. Qeveria italiane ka njoftuar se synon ta përdorë pasurinë e sekuestruar për financimin e sigurisë publike, veçanërisht për forcimin e kapaciteteve të forcave të rendit./IlPost

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci