Kandidati i LDK-së për deputet, Visar Azemi ka thënë se projekti i gazit amerikan është ai që mund të ndalë krizat energjetike për Kosovën.
Në emisionin “VV Show” me Vehbi Kajtazin dhe Visar Ymerin, Azemi ka thënë se gazi amerikan është element strategjik i Kosovës teksa ka shtuar se edhe Vjosa Osmani ka folur me përfaqësues amerikan në lidhje me këtë projekt.
“Projekti i cili mund ta shpëtojë në shumë aspekte, në aspektin e sigurisë kombëtare, furnizim të rregullt dhe ndaljen e importeve të shtrenjta është importi i gazit, Vetëvendosje kur erdhi në pushtet e refuzoi”, ka thënë Azemi.
Ai ka thënë se përfaqësuesit amerikan kanë këshilluar që tubacioni i gazit të jetë më i sigurt dhe të jetë afër bazës ushtarake të Bondsteelit në Ferizaj.
“Ka folur LDK-ja, ka folur Vjosa Osmani kur ishte në SHBA, është kërkuar që projekt i gazi të jetë afër një sigurie, pra që të jetë afër Bondsteelit të Ferizajit dhe këtë projekt duhet me ardhë LDK-ja për me e realizuar, është investim gjysmëmiliard euro, investim strategjik që e vendos Kosovën në hartën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Azemi.
“Nuk ka LDK në pushtet pa projektin e gazit. Gazi nuk është projekt veç i LDK-së është projekt nacional strategjik”, ka thënë veç të tjerash ai.
