Të fundit

Vidhet nga muzeu i Metz banania e famshme e Cattelan

Muzeu Pompidou në Metz të Francës njoftoi të dielën se kishte ngritur një padi kundër personave të panjohur pasi zbuloi vjedhjen e veprës “Komediani”, banania e famshme e vënë në mur me shirit ngjitës e krijuar nga artisti 65-vjeçar Maurizio Cattelan.

Për të festuar përvjetorin e saj të 15-të, Qendra Pompidou-Metz e thirri artistin italian për një ekspozitë, gjithashtu edhe në cilësinë e tij si kurator. Vjedhja, e cila ndodhi pasditen e së shtunës u zbulua nga një roje sigurie. Edhe pse banania zëvendësohet çdo 3 ditë, “vlera e veprës qëndron në certifikatën e saj të autenticitetit dhe protokollin që rregullon prezantimin e saj”, sipas muzeut.

Pra, nuk mjafton thjesht të zëvendësohen bananet. Në një deklaratë, muzeu, i cili gjithsesi e zëvendësoi frutin, “dënoi vjedhjen, e cila dëmton respektin që u takon veprave të ekspozuara”.

E ideuar në vitin 2019, “Comedian” ka qenë shpesh shënjestër e akteve të ngjashme. Korrikun e kaluar një vizitor e hëngri frutin. Edhe në atë rast, me ironinë e tij të zakonshme, Cattelan shprehu zhgënjim që vizitori kishte ngrënë vetëm bananen dhe jo shiritin ngjitës që e mbante atë në mur.

Kjo banane e veçantë, nga e cila ekzistojnë tre shembuj të certifikuar, ka krijuar bujë që nga ekspozita e saj e parë në Art Basel Miami në vitin 2019. Me një çmim fillestar prej 120,000 dollarësh, “Comedian” vë në pikëpyetje konceptin e vlerës në art. Fama e saj është rritur edhe falë incidenteve si ky në Metz.

Gjatë ekspozitës së saj të parë në Miami, interpretuesi David Datuna e hëngri bananen para vizitorëve, duke pretenduar se ishte i uritur. Në vitin 2024, sipërmarrësi i kriptomonedhave Justin Sun bleu një version të veprës për 5.2 milionë dollarë dhe dy ditë më vonë e konsumoi bananen para kamerave në Hong Kong: “Është shumë më e mirë se bananet e tjera”, deklaroi ai pas kafshatës së tij të parë.

Cattelan është i njohur edhe për veprën e tij “Amerika”, tualeti funksional prej ari 18 karatësh i ofruar simbolikisht Presidentit të SHBA-së Donald Trump. “Amerika” ishte gjithashtu në qendër të një vjedhjeje të bujshme në Mbretërinë e Bashkuar natën e 13-14 shtatorit 2019. Marsin e kaluar, një gjykatë shpalli dy burra fajtorë për vjedhjen. Vepra, e çmontuar dhe e shkrirë, nuk u gjet kurrë.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci