Të fundit

LDK: Qëndrimi i sotëm i SHBA-së, mesazh i qartë për të ardhmen strategjike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas mesazhit të qartë të Anu Parttipati, lidhur me gazin amerikan.

Përmes një komunikate të përbashkët nga Osmani dhe Abdixhiku, LDK-ja ka thënë se qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

“Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare. Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas qëndrimit të përbashkët të Osmanit e Abdixhikut, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.

LDK-ja ka vlerësuar se mesazhi nga ShBA ka qenë i qartë dhe i njëjti nuk guxon asesi të anashkalohet.

“Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike. Është humbje strategjike. Përveç më pak investime, më pak zhvillim, e më pak vende pune, kjo nënkupton edhe më shumë cenueshmëri për sigurinë kombëtare të Kosovës. Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike”.

“Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë. Sepse energjia nuk është vetëm ekonomi. Energjia është siguri. Energjia është sovranitet. Energjia është aleancë. Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj”, thuhet në komunikatë.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci