Komuna e Prishtinës ka propozuar ndryshime në rregulloren për tarifat komunale, të cilat parashohin vendosjen e një takse për automjetet e regjistruara jashtë territorit të kryeqytetit që hyjnë në zonat e caktuara të Prishtinës. Sipas draft-rregullores së publikuar për konsultim publik, çdo automjet i regjistruar jashtë Prishtinës do të duhej të paguante 10 euro për hyrje në kryeqytet. Përveç kësaj, dokumenti parasheh edhe një tarifë prej 1 euro për çdo natë akomodimi në Prishtinë.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka sqaruar se propozimi nuk synon të vendosë tarifë 10 euro për të gjitha automjetet. Sipas tij, automjetet e zakonshme do të tarifoheshin me 1 ose 2 euro, ndërsa kamionët dhe mjetet e mëdha transportuese mund të paguanin deri në 10 euro. Rama ka argumentuar se kjo masë lidhet me nevojën për menaxhimin e trafikut dhe me mungesën e realizimit të projektit të unazës së kryeqytetit. Ai ka deklaruar se, nëse Qeveria do të zhbllokonte fondet e financuara nga BERZH-i për ndërtimin e unazës, nuk do të kishte nevojë për tarifa të tilla.
Propozimi ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe publike. Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar ashpër qëndrimin e Ramës. Sipas tij, deklaratat e kryetarit bien në kundërshtim me përmbajtjen e draft-rregullores, pasi neni 14 i saj përcakton qartë se të gjitha automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës do të paguajnë 10 euro për hyrje. Sveçla ka vlerësuar se ndryshimi i deklarimeve të Ramës është rezultat i presionit publik dhe reagimeve negative të qytetarëve. Ai gjithashtu ka kundërshtuar pretendimin se Qeveria ka bllokuar fondet e BERZH-it, duke thënë se Qeveria nuk ka kompetenca për të bllokuar financimet e këtij institucioni ndërkombëtar.
Edhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, është shprehur kundër vendosjes së kësaj tarife. Ai ka theksuar se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve politike dhe institucionale ndërmjet Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës. Sipas tij, nëse projektet infrastrukturore mbeten të pazhvilluara ose të bllokuara, përgjegjësia duhet të kërkohet nga institucionet dhe jo të transferohet te qytetarët përmes tarifave shtesë. Reçica ka argumentuar se qytetarët tashmë po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe me vështirësi ekonomike, prandaj pagesa për hyrje në kryeqytet do të ishte një barrë e re financiare. Ai ka paralajmëruar se kjo masë do të ndikonte negativisht te punëtorët, studentët, bizneset dhe familjet që udhëtojnë çdo ditë drejt Prishtinës për nevoja pune, studimi apo shërbimesh.
Nga aspekti ekonomik, eksperti Lulzim Beqiri ka vlerësuar se vendosja e tarifës do të ndikonte drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve. Ai ka shpjeguar se edhe një tarifë relativisht e ulët prej 2 eurosh për hyrje mund të përkthehet në dhjetëra euro shpenzime shtesë mujore për personat që udhëtojnë rregullisht drejt kryeqytetit. Sipas tij, një tarifë prej 10 eurosh do të ishte edhe më e rëndë dhe do të rriste kostot e jetesës dhe të veprimtarisë ekonomike. Nga ana tjetër, Beqiri ka theksuar se, nëse të ardhurat nga kjo taksë do të investoheshin në përmirësimin e transportit publik dhe infrastrukturës rrugore, atëherë mund të kishte përfitime afatgjata, si ulja e trafikut dhe ndotjes së mjedisit. Megjithatë, ai konsideron se në kushtet aktuale ekonomike qytetarët e perceptojnë këtë masë si një ngarkesë shtesë financiare.
Draft-rregullorja parashikon edhe kategori të përjashtuara nga pagesa e taksës. Në mesin e tyre përfshihen automjetet e emergjencës, si autoambulancat, zjarrfikësit dhe policia, automjetet e institucioneve publike gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, si dhe automjetet e banorëve rezidentë të Prishtinës që posedojnë dëshmi të vlefshme. Gjithashtu, kryetari i komunës mund të përcaktojë edhe kategori të tjera të përjashtuara me vendim të veçantë.
Sipas dokumentit të propozuar, moskryerja e pagesës së tarifës do të konsiderohet kundërvajtje dhe do të sanksionohet me gjobë, megjithëse në draft nuk është specifikuar ende shuma e gjobës. Propozimet aktualisht ndodhen në fazën e konsultimit publik dhe pas datës 24 qershor pritet të procedohen për shqyrtim dhe miratim nga organet kompetente të Komunës së Prishtinës. Nëse miratohen, ato mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në mënyrën e qarkullimit të automjeteve në kryeqytet dhe të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët e komunave të tjera që e frekuentojnë Prishtinën./Front Online
