Drejtori i zyrës serbe e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtur zyre e qeverisë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura dje “ka fituar të gjitha dhjetë mandatet e deputetëve të rezervuara për komunitetin serb në Kosovë”, transmeton Paparaci.
Petkoviq ka thënë se Lista Serbe ka fituar më shumë vota sesa në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, dhe se ky rezultat është tregues i mbështetjes së votuesve për këtë opsion politik.
“Dëshiroj t’i përgëzoj popullin serb të guximshëm dhe të vendosur, si dhe Listën tonë Serbe, të cilët edhe një herë treguan sa e madhe është forca e unitetit dhe e bashkimit serb, duke fituar me votat serbe (…) të gjitha dhjetë mandatet”, ka deklaruar Petkoviq.
Ai ka shtuar se pjesëmarrja në votime në mjediset me shumicë serbe ishte më e lartë se 50 për qind.
“Populli ynë, me votat e tij, tregoi qartë se i beson vetëm shtetit të tij, Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiq dhe se dëshiron të përfaqësohet vetëm nga Lista Serbe”, ka deklaruar Petkoviq.
Ai në propagandën e tij paraqiti pretendime për “parregullsi në procesin zgjedhor”, duke shtuar se “ekziston një synim që një mandat t’i takojë Nenad Rashiqit”./Paparaci.com
