Dhjetëra vota i ndajnë kandidatet gra për deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat po luftojnë për një mandat.
Kur janë numëruar 55% të vendvotimeve, rezultatet e votimit të kandidatëve tregojnë se Ariana Musliu-Shoshi dhe Eliza Hoxha kanë një diferencë prej 72 votave. Aktualisht, prin Musliu-Shoshi me 9,451 vota. Hoxha numëron 9,379 vota.
Bazuar në numërimin e votave brenda vendit dhe projeksionin e votave me kusht, Partia Demokratike e Kosovës parashihet të sigurojë 23 ulëse në legjislaturën e re. Ky mandat partisë i rrezikohet nëse Vetëvendosje arrin 75% të votave me postë. Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, partia e kryeministrit Albin Kurti kishte fituar 72,68% të kësaj vote.
Luftë e ngushtë po bëhet edhe për mandatin e fundit të një deputeti burrë në listën e PDK-së. Aty, në garë janë Adriatik Berisha, mjeku i Qendrës Klinike Universitare, i cili aktualisht ndodhet në kufirin e mandateve.
Poshtë tij renditet ish-deputeti Hajdar Beqa, i cili numëron rreth 275 vota më pak, pas numërimit të 55% të vendvotimeve.
Rashit Qalaj, po ashtu është në garë për këtë mandat. Ai ka rreth 400 vota më pak sesa kandidati Berisha.
Listën e Partisë Demokratike të Kosovës, pa numërimit të më shumë se gjysmës së votave të kandidatëve, e kryeson lideri Bedri Hamza me 65,601 vota.
Pas tij, renditen Përparim Grua me pak mbi 40 mijë vota, i pasuar nga Arian Tahiri dhe Uran Ismaili.
Në rast se PDK i siguron 23 mandate të deputetëve, shtatë prej tyre do t’u takojnë grave deputete bazuar në kuotën gjinore prej 30%. /Paparaci.com
