Avni Arifi nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për deputet.
Kandidati për deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është renditur pak nën zonën e deputetëve të ardhshëm të AAK-së.
Pas numërimit të rreth 65% të vendvotimeve, Arifi ka arritur të sigurojë 5,313 vota dhe renditet i 11-ti më i votuar i listës.
Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, ish-këshilltari i Ramush Haradinajt ka vlerësuar se ka marrë “një numër jo të vogël” të votave.
“Edhe pse nuk është përfunduar numërimi i votave, shihet se kam marrë një numër jo të vogël votash.
Unë nuk kam qenë pjesë e strukturës partiake që nga viti 2017. Megjithatë, jam shumë mirënjohës ndaj strukturave të Aleancës dhe votuesve të Aleancës për besimin që shihet se kam marrë nga numërimet e deritanishme”, tha ai.
“Dua të falënderoj secilin aktivist të Aleancës për përkrahjen e vizionit të Aleancës, secilin aktivist të AAK-së që më ka përkrahur dhe secilin votues të Aleancës që ka shprehur besim në mua”.
Arifi tha se “ky besim ka vlerë të veçantë” për të.
“Sepse vjen pas shumë vitesh pa qenë pjesë e strukturave partiake dhe pa qenë pjesë e garave elektorale. Prandaj, çdo votë e marrë është për mua jo vetëm mbështetje politike, por edhe përgjegjësi për të vazhduar të punoj dhe të kontribuoj për Aleancën dhe për Kosovën”, u shpreh Arifi.
