Ish-kryediplomati, Petrit Selimi për Ekonomia Online ka komentuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vendimi pritet me padurim jo vetëm nga të akuzuarit dhe familjet e tyre, por edhe nga qytetarët e Kosovës dhe aleatët e vendit. Ai gjithashtu tha se liderët kanë qenë e një kryengritje rurale.
Sipas Selimit, procesi është përcjellë me skepticizëm që nga fillimi, për shkak të akuzave fillestare që, sipas tij, nuk u reflektuan në zhvillimin e mëvonshëm të gjykimit.
“Verdikti po pritet me padurim nga familjet dhe nga vetë ata që janë duke qëndruar në Hagë në një gjykim të padrejtë, por në anën tjetër po pritet me padurim edhe nga populli i Kosovës, nga shumë persona që janë miqtë e Kosovës, aleatët e Kosovës që e kanë shikuar këtë gjykim me një dozë skepticizmi, sepse ajo me të cilën filloi ky gjykim, tregtia me organe dhe akuzat e llahtarshme të Dick Martyt, nuk doli të jetë arsyeja e gjykimit. Procesi mori një drejtim dhe një kah krejt tjetër dhe fatkeqësisht, pas gjashtë vitesh kohë, ne po presim tash finalen”, ka deklaruar Selimi.
Ai ka theksuar se vendimi përfundimtar duhet të marrë parasysh natyrën e UÇK-së dhe rolin e drejtuesve të saj gjatë luftës në Kosovë.
“Gjykata, nëse është e drejtë dhe nëse ka drejtësi, atëherë janë dy pika të rëndësishme. E para, që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një kryengritje popullore dhe jo një ushtri e organizuar siç ka qenë ajo e Serbisë. Dhe e dyta, që liderët e UÇK-së nuk kanë qenë liderë të cilët janë angazhuar në konspiracione kriminale apo në pastrim etnik, por kanë qenë liderë të një kryengritjeje kryesisht rurale, por mbarëkosovare, për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb”, është shprehur ai.
