Të fundit

Flutura Kusari kritikon ashpër KPM-në: Po tenton disiplinimin e mediave dhe moderatorëve

Flutura Kusari ka shprehur shqetësime serioze lidhur me qasjen e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), pas monitorimit të mbledhjes së fundit të këtij institucioni.

Përmes një reagimi publik, Kusari tha se beson se KPM-ja po synon “disiplinimin e mediave dhe moderatorëve që lejojnë dhe mundësojnë kritikë ndaj pushtetit të ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje”, duke paralajmëruar se kjo po bëhet nën kërcënimin e marrjes së licencave dhe mbylljes së mediave.

Ajo theksoi se shqetësimet e saj bazohen në analizën ligjore të vendimeve sanksionuese të KPM-së, monitorimin e mbledhjeve dhe shqyrtimin e procesverbaleve të mëparshme.

Sipas Kusarit, gjatë mbledhjes së sotme për herë të parë është diskutuar mundësia e mbylljes së emisionit informativ “Debat Plus”, në rast se, sipas KPM-së, përsëriten shkeljet. Edhe pse nuk është marrë vendim për ndërprerjen e emisionit, ajo e konsideron shqetësues faktin që një mundësi e tillë është përmendur.

Kusari kritikoi gjithashtu mënyrën e trajtimit të rasteve nga anëtarët e Komisionit, duke e cilësuar nivelin e profesionalizmit si alarmues. Sipas saj, gjatë diskutimeve nuk janë përmendur faktet konkrete të rasteve apo emrat e personave të përfshirë, gjë që, sipas saj, tregon mungesë transparence dhe pavarësie institucionale.

Një tjetër kritikë e saj kishte të bënte me atë që e konsideron tejkalim të kompetencave të KPM-së. Ajo tha se Komisioni po merr rolin e gjykatës duke vendosur se çfarë përbën shpifje, ofendim apo gjuhë vulgare.

Po ashtu, Kusari kundërshtoi diskutimet e anëtarëve të KPM-së për mënyrën se si moderatorët duhet të sillen apo të drejtojnë emisionet, duke theksuar se një qasje e tillë është e papranueshme në një shoqëri demokratike.

Duke iu referuar praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ajo tha se mediat kanë obligim vetëm t’i ofrojnë hapësirë për demant personit të apostrofuar në rastet kur deklaratat kontestuese bëhen nga palë të treta gjatë debateve apo intervistave live.

Në fund, Kusari shprehu bindjen se vendimet e KPM-së do të rrëzohen nga gjykatat, pasi sipas saj janë arbitrare, joproporcionale dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë monitorimin e punës së KPM-së dhe u bëri thirrje mediave që të ndjekin nga afër mbledhjet e këtij institucioni dhe të dokumentojnë qasjen e tij ndaj mediave.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci