Ekonomisti Lulzim Beqiri ka komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të bëra gjatë vizitës së tij në Vjenë, i cili kishte theksuar se ekonomia e Kosovës dhe investimet e huaja po shënojnë rritje.
Beqiri ka vlerësuar se, ndonëse ka indikatorë të rritjes ekonomike në vend, ato nuk janë të mjaftueshme për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, duke theksuar se realiteti në terren dallon nga statistikat zyrtare dhe se klima politike e sigurisë vazhdon të ndikojë në hezitimin e investitorëve të huaj.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online thotë se edhe shkuarja në zgjedhje për disa herë brenda një periudhe kohore, e paraqet vendin jo serioz në rajon.
“Po, sigurisht në vitet e fundit ka një rritje ekonomike e qëndrueshme e Republikës së Kosovës, por a është ajo mjaftueshme? Jo, për faktin që ka një rritje mesatare në tri vitet e fundit rreth 4% apo vitin e fundit këtë rreth 3.8% dhe kjo sigurisht nuk garanton një zhvillim ekonomik. Edhe investimet e huaja, edhe rritja ekonomike lënë për të dëshiruar në Republikën e Kosovës për faktin që aktualisht Kosova po thua se është hera e tretë që shkon në zgjedhje brenda një periudhe të caktuar kohore dhe kjo sigurisht që përçon një imazh negativ te investitorët e huaj. Njëkohësisht edhe çështja e trazirave në veri, kjo ka ndikuar që Kosova të jetë pjesë e lajmeve botërore si vend jo stabil dhe sigurisht që nuk është e kënaqshme”, tha ai.
Beqiri deklaratat e Kurtit i vlerësoi si “statistika të bukura”.
“Deklaratat e kryeministrit i vlerësoj që janë aktualisht statistika të bukura, për faktin që realiteti në Republikën e Kosovës është krejt tjetër. Një zhvillim i qëndrueshëm do të duhej të ishte dyshifror, mbi 10% për të garantuar një zhvillim ekonomik në Kosovën e pothuajse pasluftës dhe Republika e Kosovës ka nevojë për investime të jashtëzakonshme të huaja sepse i plotëson të gjitha kushtet, por aktualisht kemi jashtëzakonisht pak investime kredibile të cilat ndikojnë në jetesën e qytetarëve”, ka deklaruar Beqiri.
I pyetur për dallimet në investimet e huaja ndër vite dhe për bllokadën institucionale, Beqiri thotë se ka rritje, por ajo është e vogël dhe e pamjaftueshme krahasuar me vendet e rajonit.
“Po, sigurisht çdo vit ka rritje të investimeve dhe kjo është normale. Janë rritje të vogla. Po llogaritet diku në 2024 rreth 800 milionë euro janë investime, por sigurisht që është edhe kjo shumë e shumë e vogël. Tashmë ka kaluar mbi 1 miliard, por duke marrë parasysh gjeografinë e Kosovës, karakteristikat që ka Kosova, fuqinë punëtore, gjeografinë që e ka, sigurisht që investimet e huaja do të duhej të ishin më të mëdha sepse në të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë Maqedoninë, Serbinë, edhe vendet që janë për rreth, kanë investime më të larta. Prandaj, konsiderohet që qeveria e Republikës së Kosovës, në vend që të ofrojë statistika të bukura, të ofrojë alternativa për investime të huaja”, u shpreh ai.
Ekonomisti nuk përjashtoi mundësinë e ndikimit të çmimit të energjisë elektrike për ulje të investimeve.
“Këtu kemi ditët ose muajt më parë kemi pasë në daljen në tregun e hapur dhe bizneset vendore të paktën kanë paguar diku 250% kostot e energjisë elektrike më shumë dhe kjo sigurisht që tremb edhe investitorin e huaj, kur e di që një produkt i cili është siç është energjia elektrike, që është kryesori në Kosovë për prodhim dhe në të gjitha aspektet, kjo ka ndikuar që edhe të tkurren edhe investimet. Pra, ka një lloj hezitimi për me investuar në Kosovë për faktin që u përmendën më, tashmë që është edhe e ditur sepse në një vend ku ka trazira politike, trazira ekonomike, trazira sociale, edhe gjithashtu çështja e sigurisë kombëtare sigurisht që investitorët e huaj nuk investojnë në atë vend”, ka Beqiri ai.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026”, i cili këtë vit po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe kancelarit të Austrisë, Christian Stocker.
Në fjalën e tij në sesionin hapës me temën “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik dhe rritjes”, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve si të qëndrueshëm dhe të ndërtuar mbi lidhje të forta njerëzore.
Ai ka theksuar rolin e mërgatës kosovare në Austri si një urë lidhëse mes dy shteteve, duke thënë se ajo kontribuon si në ekonominë austriake, ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Kurti ka përmendur gjithashtu investimet e kompanive nga diaspora në Kosovë, si dhe praninë e bizneseve austriake në vend, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të rritjes së bashkëpunimit ekonomik.
