Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të ngadalësojë rritjen globale në nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në një kohë kur çmimet e energjisë janë më të larta, inflacioni më i lartë, dhe kostot e huamarrjes më të mëdha, sipas raportit të fundit të Grupit të Bankës Botërore, Perspektivat Ekonomike Globale.
Rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet në 2.5% në vitin 2026, nga 2.9% në vitin 2025.
Parashikimet për dy të tretat e ekonomive janë ulur në krahasim me janarin e këtij viti. Rritja globale pritet të përmirësohet në 2.8% në vitin 2027, por do të mbetet 0.4 pikë përqindjeje nën mesataren e viteve 2010. Rritja e dobët në ekonomitë në zhvillim ka ndalur progresin drejt niveleve të të ardhurave të ekonomive të avancuara.
Deri në vitin 2028, ekonomitë në zhvillim, me përjashtim të Kinës dhe Indisë, do të kenë përjetuar së bashku gati
një dekadë pa përparim në ngushtimin e hendekut në të ardhura për kokë banori me ekonomitë e avancuara, konstaton raporti.
“Vendet në zhvillim janë përballur me një sërë sfidash gjatë dekadës së fundit”, tha Ajay Banga, President i Grupit të Bankës Botërore. “Ndikimi ndryshon sipas vendit, por testi bazë është i njëjtë: mbrojtja e njerëzve dhe ruajtja e stabilitetit sot, pa hequr dorë nga rritja ekonomike dhe vendet e punës nesër. Në përgjigje të tronditjes aktuale, ne po ofrojmë likuiditet aty ku është i nevojshëm tani – dhe jemi të gatshëm me financim shtesë, garanci, dhe zgjidhje për sektorin privat, nëse presionet thellohen. Detyra jonë është t’i ndihmojmë vendet të stabilizojnë anijen, të mbajnë reformat në lëvizje, dhe të dalin më të fortë në anën tjetër.”
Sipas raportit, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka trazuar rëndë tregjet e energjisë, me çmimet e naftës së papërpunuar Brent që parashikohen të jenë mesatarisht 94 dollarë për fuçi në vitin 2026, 36% mbi nivelet e vitit 2025, duke supozuar se çrregullimet më të këqija do të ulen në korrik. Çmimet e plehrave parashikohet të rriten ndjeshëm këtë vit, me efekte anësore për çmimet e ushqimeve. Së bashku, këto presione po e nxisin inflacionin global, i cili pritet të rritet në 4.0% këtë vit, ngritje substanciale nga 3.3% në vitin 2025.
Megjithatë, rreziqet në kahjen rënëse janë të konsiderueshme. Nëse çrregullimet e furnizimit me energji rezultojnë më të rënda nga sa supozohet aktualisht, dhe shoqërohen me një stres të konsiderueshëm financiar, rritja ekonomike globale mund të ulet në vetëm 1.3% në vitin 2026, dhe inflacioni të rritet në 4.4%.
Këtë vit, rritja në ekonomitë në zhvillim pritet të bie në një nivel të ulët për kohën pas pandemisë, në 3.6%, rënie nga 4.4% në vitin 2025, përpara se të rikuperohet në 4.2% në vitin 2027. Ekonomitë e Gjirit të cilat preken drejtpërdrejt nga konflikti pritet të marrin goditjen më të madhe, ku rritja e tyre bie nga 3.9% në vitin 2025 në afër zeros në vitin 2026. Raporti parashikon që rritja do të rikthehet në këto ekonomi, në rreth 5% në vitet 2027-28, me rimëkëmbjen e tregtisë dhe fillimin e shpenzimet për rindërtim.
Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar për të mbështetur të gjitha vendet në zhvillim derisa ato përballen me kriza. Në përgjigje të konfliktit në Lindjen e Mesme, GBB menjëherë po vë në dispozicion deri në 50-60 miliardë dollarë përmes instrumenteve ekzistuese, përfshirë këtu 25 miliardë dollarë financim të para-caktuar.
Kjo mund të mbështesë rrjetet e sigurimeve shoqërore për njerëzit më të cenueshëm, të rrisë kapacitetin fiskal dhe të ofrojë kapital pune dhe mbështetje për likuiditet për firmat dhe fermat. Deri më sot, mbi 30 vende po punojnë në mënyrë aktive me Grupin e Bankës Botërore për të rritur gatishmërinë dhe për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj krizës sipas këtij plani reagimi. Nëse konflikti dhe pasojat e tij ekonomike vazhdojnë, Grupi i Bankës Botërore mund ta rrisë mbështetjen e tij në 80-100 miliardë dollarë gjatë 15 muajve.
Azia Jugore pritet të ketë rritjen më të fortë ekonomike në krahasim me rajonet tjera në vitin 2026, por edhe rritja e saj do të shënoj një ngadalësim të ndjeshëm, nga 7% në vitin 2025 në 6.3% në vitin 2026, thotë raporti. Rritja ekonomike e Afrikës Sub-Sahariane është gjithashtu duke u ngadalësuar, ku presionet më të mëdha vijnë përmes inflacionit, duke përfshirë çmimet e larta të ushqimeve për shkak të mungesës së furnizimit me plehra dhe rritjes së çmimeve.
“Konflikti ka lënë gjurmë në aktivitetin global, por çdo krizë sjell edhe një mundësi”, tha Ayhan Kose, Zëvendës Kryeekonomisti i Grupit të Bankës Botërore dhe Drejtor i Grupit të Perspektiva.
“Ky moment duhet të shfrytëzohet për të forcuar kornizat e politikave, për të investuar në infrastrukturë, për të përshpejtuar reformat që mundësojnë biznesin, dhe për të mobilizuar kapitalin privat për të mbështetur krijimin e vendeve të punës në shkallë të gjerë.”
Kapitujt me fokus të veçantë të raportit shqyrtojnë sfidat fiskale në ekonomitë në zhvillim. Rreth dy të tretat e ekonomive në zhvillim, dhe gati 90% e vendeve me të ardhura të ulëta, janë eksportues të mallrave. Megjithatë, këto ekonomi kanë tendencë të kenë pozicione fiskale më të dobëta sesa ekonomitë e tjera në zhvillim, pasi ato përballen me të ardhura më të paqëndrueshme dhe më pak të diversifikuara. Pesë vjet pas një tronditjeje pozitive të çmimeve të mallrave, shumica e të ardhurave të papritura shpenzohen, në vend që të ruhen për të forcuar pozicionet fiskale. Për të menaxhuar paqëndrueshmërinë e çmimeve të mallrave, politikëbërësit duhet të mbështeten në korniza, të tilla si rregulla fiskale të hartuara mirë dhe fonde sovrane të pasurisë me mandate të qarta stabilizimi, së bashku me mobilizimin e përmirësuar të të ardhurave vendore dhe diversifikimin më të madh ekonomik.
Kapitulli tjetër shqyrton se si nivelet në rritje të borxhit po e bëjnë më të vështirë për vendet që t’u përgjigjen krizave dhe të investojnë në prioritetet e zhvillimit afatgjatë – dhe po rrisin kostot e huamarrjes në këtë proces. Që nga viti 2010, borxhi i përgjithshëm qeveritar në ekonomitë në zhvillim është rritur nga nën 40% të PBB-së në mbi 70%. Analiza tregon se sa më në borxh të jetë një vend, aq më shumë rriten kostot e tij të huamarrjes për borxhin shtesë. Efekti është veçanërisht i mprehtë në vendet më të cenueshme. Për vendet me raporte të larta borxhi ndaj PBB-së, ulja e niveleve të borxhit mund të sjellë shpërblime financiare domethënëse: hapësirë më të madhe fiskale për të investuar në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, duke nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
Perspektivat rajonale: Azia Lindore dhe Paqësori: Rritja parashikohet të bjerë në 4.2% në vitin 2026 përpara se të fiksohet në 4.4% në vitin 2027. Për më shumë, shihni përmbledhjen rajonale.
Evropa dhe Azia Qendrore: Rritja parashikohet të ngadalësohet në 2.1% në vitin 2026 përpara se të arrijë në 2.3% në vitin 2027. Për më shumë, shihni përmbledhjen rajonale.
Amerika Latine dhe Karaibet: Rritja pritet të ngadalësohet në 2.2% në vitin 2026 përpara se të rritet në 2.5% në vitin 2027. Për më shumë, shihni përmbledhjen rajonale.
Lindja e Mesme, Afrika e Veriut, Afganistani dhe Pakistani: Rritja parashikohet të bjerë në 1.6% në vitin 2026 përpara se të rikuperohet në 5.0% në vitin 2027.
Azia Jugore: Rritja parashikohet të bjerë në 6.3% në vitin 2026 përpara se të rritet në 6.9% në vitin 2027. Për më shumë, shihni përmbledhjen rajonale.
Afrika Sub-Sahariane: Rritja pritet të bjerë në 4.0% në vitin 2026 dhe të rritet në 4.4% në vitin 2027. Për më shumë, shihni përmbledhjen rajonale.
Grupi i Bankës Botërore është një nga burimet më të mëdha në botë të financimit dhe njohurive për vendet në zhvillim. Për më shumë se tetë dekada, Grupi i Bankës Botërore ka kombinuar financimin dhe përvojën praktike për të krijuar vende pune dhe mundësi në vendet në zhvillim. Ne punojmë me partnerë publikë dhe privatë për të ndërtuar ekonomi më të qëndrueshme dhe për të arritur vizionin tonë për një botë pa varfëri në një planet të jetueshëm. Banka jonë e Dijes replikon dhe rrit zgjidhjet e provuara për të përballuar sfidat më urgjente të zhvillimit në botë.
