Të fundit

Gjermania vazhdon praninë ushtarake në Kosovë edhe për një vit

Prej 27 vitesh, Bundestagu gjerman voton çdo vit për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në KFOR. Të enjten, 11 qershor, e rinovoi sërish: 383 pro, 192 kundër, dy abstenim. Mandati i ri lejon dërgimin e deri në 400 ushtarë. Kostot shtesë: 35.7 milionë euro. Baza ligjore mbetet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar në 1999. KFOR është misioni më i gjatë i pandërprerë i Bundeswehr-it jashtë Gjermanisë.

CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit votuan pro. Situata është e qetë — por jo e sigurt, thanë folësit e këtyre partive, duke përmendur marrëdhëniet e panormalizuara me Serbinë, pikëpyetjen rreth angazhimit afatgjatë të SHBA-së dhe ngërçin politik të krijuar prej kohësh nga mungesa e konsensusit për postin e presidentit.

Deputeti i CDU-së Jurgen Hardt bëri thirrje: Kosova duhet të formojë qeveri dhe të zgjedhë sa më parë president — pa shumicë parlamentare, nuk mund të realizohet as afrimi me BE e as anëtarësimi në Këshill të Evropës. Për marrëdhëniet me Serbinë, Hardt tha se zgjidhja duhet të vijë “diplomatikisht, paqësisht — dhe ndoshta edhe me një marrëveshje të re.”

Socialdemokrati Macit Karaahmetoglu nguli këmbë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, të iniciuar nga kancelari i mëparshëm Olaf Scholz. Marrëveshja pothuajse nuk po zbatohet. Sulmet paramilitare në veri nuk janë zbardhur nga drejtësia. Dhe SHBA-ja ka lënë të hapur angazhimin e saj afatgjatë. Pikërisht në këtë kontekst, tha ai, “një sinjal tërheqjeje do të ishte shenjë fatale dhe e gabuar.”

Mijatovic për Serbinë: “Kapeni hajdutin!”
Boris Mijatovic nga Të Gjelbrit nisi me lajmin e mirë: “Zgjedhjet ishin të drejta, të lira dhe pa incidente.” Por paralajmëroi menjëherë se “Qetësia në shumë raste është mashtruese.” Ai solli si shembull sulmin e Banjskës të vitit 2023 — një nga incidentet më të rënda në veri të Kosovës.

“Duhet të pyesim me seriozitet kush është mik dhe kush armik — dhe me çfarë mjetesh tinëzare operojnë”, tha Mijatovic.

Udhëheqësi i grupit vazhdon të jetë i lirë në Serbi. “Kapeni hajdutin!” Në fund, Mijatovic bëri thirrje direkt qeverisë gjermane: “Luftoni me vendosmëri për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo do t’u ndihmonte shumë njerëzve.”

Por konkludoi: “Përvojat e 25 viteve të fundit tregojnë qartë se ndërhyrjet ushtarake nuk mund të krijojnë paqe të qëndrueshme.” Dhe shtoi: “Iniciativat e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe takimet ndërkufitare bëjnë më shumë për mirëkuptim sesa prania ushtarake.”/DW

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci