Të fundit

Botërori nën kontrollin e Telekomit, kosovarët të vetmit që nuk e ndjekin falas

Ndryshe nga vendet e rajonit dhe disa vende të Evropës, Kosova po rezulton të jetë ndër të paktat vende ku një pjesë e konsiderueshme e ndeshjeve të Botërorit nuk do të transmetohen tërësisht në transmetues publik dhe pa pagesë.

Kosova po hyn në Kupën e Botës 2026 me një model të ndryshëm të transmetimit: jo të gjitha ndeshjet do të transmetohen nga Transmetuesi Publik, siç ka ndodhur historikisht pasluftës.

Rreth 40 për qind të ndeshjeve të ngjarjes më madhore të sportit në botë, nuk do të transmetohen nga Radio Televizioni i Kosovës.

Ato kanë kaluar në një platformë me pagesë. Platforma i përket Telekomit të Kosovës, ndërmarrjes publike që në pesë vjet qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje u ndihmua me së paku 25 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Telekomi i Kosovës, përmes një marrëveshjeje të lidhur me një operator nga Shqipëria në vlerë 1.1 milion euro për të drejtat televizive të Botërorit 2026, ka ndarë transmetimet mes Transmetuesit Publik dhe platformës TV Vala.

Transmetuesit Publik i është dhuruar e drejta e transmetimit të 60% të ndeshjeve, ndërsa pjesa tjetër do të jetë ekskluzive në TV Vala.

Por, ndryshimi i modelit të transmetimit nuk i ka prekur qytetarët vetëm te mungesa e qasjes së plotë në një ngjarje të interesit madhor. Duke përjashtuar 20 mijë klientët ekzistues të Vala-s, shikimi i plotë i Botërorit krijon kosto shtesë financiare për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës.

Ata duhet të paguajnë shumën prej 20 euro në muaj për paketën e Botërorit. Telekomi, në një përgjigje me shkrim për Paparacin, e cilësoi këtë shumë “një pagesë simbolike”.

“Telekomi kundrejt një pagese simbolike, ka krijuar mundësi të thjeshtë qasjeje online për të gjithë të interesuarit, pavarësisht operatorit nga i cili marrin shërbimet e internetit“, tha një zëdhënës i Telekomit në një përgjigje me shkrim në pyetjet e Paparacit të premten.

Krahas “shifrës simbolike” prej 20 eurove, qytetarët përgjatë katër viteve të fundit kanë paguar indirekt rreth 25 milionë euro për Telekomin. Këto mjete ia ka transferuar Qeveria e Kosovës nga fondet publike në formë huaje.

Raportet financiare tregojnë se deri më tani Telekomi ka dështuar të kthejë direkt investimin prej 1.1 milion eurove në blerjen e të drejtave të transmetimit të Botërorit.

Siç i ka thënë Paparacit një burim që ka qasje në sistemin e abonentëve të Vala-s, paketa e Botërorit ka sjellë rreth 400 abonentë të rinj për TV Vala, duke gjeneruar rreth 8,000 euro të ardhura — një shifër që përbën më pak se 1 për qind të kostos së blerjes të të drejtave televizive.

Telekomi nuk e ka konfirmuar shifrën prej rreth 400 abonentëve të rinj.

Por, i njëjti zëdhënës i Telekomit i tha Paparacit që ndërmarrja pret se interesimi për paketën të rritet gjatë ditëve në vijim dhe se investimi prej 1.1 milion eurove nuk vlerësohet thjesht nga numri i abonentëve të rinj.

“Ky investim është vlerësuar jo vetëm nga aspekti i të hyrave direkte financiare, por edhe nga aspekti strategjik i marketingut, forcimit të markës Telekomi i Kosovës, rritjes së vlerës së platformës TV Vala, përmirësimit të përvojës së klientëve ekzistues, tërheqjes së klientëve të rinj dhe pozicionimit të kompanisë si ofrues i përmbajtjeve ekskluzive sportive“, ka deklaruar ai.

Ndryshe nga vendet e rajonit dhe disa vende të Evropës, Kosova po rezulton të jetë ndër të paktat vende ku një pjesë e konsiderueshme e ndeshjeve të Botërorit nuk do të transmetohen tërësisht në transmetues publik dhe pa pagesë.

Në Mal të Zi, për shembull, të gjitha ndeshjet transmetohen falas në kanalin e dytë të Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG 2). Njëjtë edhe në Greqi, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ku transmetuesi publik ERT publikon të gjitha ndeshjet e Botërorit.

Në Shqipëri, ndeshjet transmetohen përmes televizionit me frekuencë kombëtare, TV Klan, duke siguruar qasje të gjerë për publikun. Në Britani të Madhe, BBC dhe ITV — si transmetues publikë dhe kombëtarë — garantojnë transmetimin e Kupës së Botës pa pagesë për qytetarët. BBC ofron qasje falas në ndeshjet e Botërorit edhe përmes aplikacionit online iPlayer.

Në Kosovë, ndërkohë, modeli i zgjedhur kufizon qasjen e qytetarëve, jo vetëm për shkak të pagesës, por sidomos për shkak të një platforme që varet nga kushte teknike dhe pajisje të caktuara.

TV Vala e ofron pakon e saj të Botërorit kryesisht përmes aplikacionit në Smart TV, por jo të gjitha pajisjet janë të përputhshme me të. Modelet më të vjetra nuk e mbështesin aplikacionin, sipas një sqarimi që figuron në uebsajtin zyrtar të Telekomit të Kosovës.

Aty thuhet se aplikacioni i TV Vala përkrahet nga modelet e pajisjeve televizive (Samsung dhe LG) më të reja sesa viti 2019.

“Samsung: Të gjitha modelet e prodhuara nga viti 2020, me Sistemin Operativ Tizen 5.5 ose më të ri”, thuhet në një shënim në uebsajtin zyrtar të Telekomit.

Shënim në uebsajtin e TV Vala

Kjo e bën qasjen në përmbajtje jo të barabartë për të gjithë qytetarët.

Për më tepër, shtrirja e rrjetit me fije optike të Telekomit të Kosovës në terren mbetet e pjesshme, çka shton edhe një tjetër barrierë për përdorimin e shërbimeve të TV Vala në të gjithë vendin.

Në përgjigjen e tij me shkrim, Telekomi tha se “ka një shtrirje të konsiderueshme të rrjetit në të gjithë territorin e vendit dhe vazhdon investimet për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit me fibër optike“.

“Përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës mbetet një nga prioritetet kryesore të kompanisë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët dhe bizneset“, sipas ndërmarrjes.

Pavarësisht kufizimeve, 64 ndeshje të Kupës së Botës (nga 104 në total) do të transmetohen në televizionin publik, bazuar në një marrëveshje mes Telekomit (bartësit ekskluziv të së drejtave televizive) dhe RTK-së.

Numri i transmetimeve në televizionin publik, sipas Telekomit, kushtëzohet nga shitësi i të drejtave, që është kompania private me bazë në Tiranë, Dividendi Sh.P.K.

“Në bazë të kontratës për blerjen e këtyre të drejtave, Telekomi i Kosovës ka pasur obligim që nga gjithsej 104 ndeshje, 64 prej tyre të transmetohen përmes një transmetuesi publik, ndërsa 40 ndeshje të transmetohen ekskluzivisht në kanalet sportive të Telekomit të Kosovës“, pohoi Telekomi. “Në përputhje me këtë obligim kontraktual, Telekomi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me RTK, me qëllim që kjo ngjarje e rëndësishme sportive të jetë e qasshme për publikun sa më të gjerë”.

Bazuar në këtë marrëveshje dhe sipas të dhënave të publikuara nga FIFA për shpërndarjen e ndeshjeve në territorin e Kosovës, audiencës së gjerë të transmetuesit publik nuk do t’i transmetohen 32 ndeshje pas fazës së grupeve, pikërisht periudhën kulminante të ngjarjes.  RTK nuk posedon të drejtat për transmetimin e dy çerekfinaleve dhe të një gjysmëfinaleje.

Transmetuesi publik i Kosovës, që historikisht e ka transmetuar të plotë Botërorin, i ka fituar të drejtat transmetuese përmes marrëveshjeve direkte me FIFA-n.

FIFA, instanca më e lartë e futbollit botëror, shpërndan direkt të drejtat e transmetimit nëpër shtetet përkatëse, bazuar në disa parime. Një prej kryesorëve është arritja e mbulueshmërisë maksimale të audiencës në vendet përkatëse. Kjo është arsyeja se pse transmetuesit publik, në shumicën e rasteve, fitojnë të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës.

Ky parim nuk qëndron fort për rastin e Kosovës, pasi kjo ngjarje e rëndësishme do të vihet në shërbim të, siç tha Telekomi, krijimit të vlerës për ndërmarrjen në disa drejtime, “përfshirë të hyrat nga reklamat, shitjen e pakove të dedikuara për Botërorin“ etj.

E njëjta ndërmarrje, e kontrolluar nga qeveria dhe në pronësi publike, mori më shumë se një herë mbështetje financiare nga fondet publike në katër vitet e fundit. Në vitin 2022, qeveria i dhuroi ndërmarrjes pesë milionë euro hua “për riparim të infrastrukturës”. Në vitin 2023, shtoi edhe 15 milionë euro. 10 milionë euro të tjera ia ndau në prill të vitit 2025.

Ndarja e ndeshjeve të Kupës së Botës sipas transmetimeve – RTK 64, Vala 40

Faza e parë me 72 ndeshje në total: 47 lojë RTK, 25 TV Vala

Raundi i 1/32-ave: Tetë lojë transmetohen nga RTK, Tetë nga TV Vala

Raundi i 1/16-ave: Katër transmetohen nga RTK, katër nga TV Vala.

Çerekfinalet: Dy transmetohen nga RTK, dy nga TV Vala.

Gjysmëfinalja: Një ndeshje RTK, një ndeshje TV Vala

Pllej of për vendin e tretë: TV Vala

Finalja: RTK/ TV Vala

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci