Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas amendamentit të miratuar në Parlamentin Evropian lidhur me zhvillimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se debati për Zvërnecin është keqinterpretuar dhe shoqëruar me dizinformim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Parlamenti Evropian ka bërë dallimin mes çështjes së Zvërnecit dhe zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
“Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit për Zvërnecin nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë, tha ai.
Ai shtoi se mbështetja e vazhdueshme e institucioneve europiane për Shqipërinë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian tregon vlerësimin që gëzon vendi në arenën ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi gjithashtu protestat e javëve të fundit kundër projektit në Zvërnec, duke pretenduar se ato kanë kaluar nga mbrojtja e mjedisit në një betejë politike.
“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Evropa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamingove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamingove”.
“Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, deklaroi Rama.
