Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka folur për procesin e rinumërimit i cili ka filluar gjatë ditës së sotme për 185 vendvotime të përzgjedhura në mënyrë rastësore në nivel vendi, për të parë nëse ka pasur ndonjë mospërputhje gjatë numërimit të votave.
Elezi ka deklaruar se në bazë të dinamikës që po zhvillohet, rinumërimi pritet të përfundoj brenda dy ditësh.
“Natyrisht se para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ do të shqyrtojë gjetjet që do të dalin nga procesi i rinumërimit. Kjo do të thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit, do të përgatitet një raport i detajuar mbi gjetjet e evidentuara. Raporti do t’u paraqitet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje. Varësisht nga gjetjet dhe rekomandimet e përfshira në raport, KQZ do të vendosë për hapat e mëtejmë. Sipas dinamikës e cila po zhvillohet këtu në QNR besojmë që brenda dy ditësh do të përmbyllet rinumërimi i të gjitha këtyre vendvotimeve”, ka Elezi.
Zëdhënësi Elezi ka deklaruar se KQZ-ja është e gatshme që të shpall rezultatet përfundimate por duhet të pritet për afatet ligjore në rast se do të ketë ankesa nga partitë politike.
“Në versionin më të mirë, nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare, por nëse do të ketë, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse e obligojnë ndonjë gjë KQZ-në dhe pastaj të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.
Brenda dhjetë ditësh është përmbyllur numërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota apo 47.13 për qind të totalit, rezultat që i siguron 53 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike ka fituar 157 mijë e 893 vota mijë vota ose 19.44 për qind dhe siguroi 22 mandate.
Lidhja Demokratike ka marrë 135 mijë e 559 vota vota apo 16.69 për qind, që përkthehen në 18 ulëse, ndërsa Aleanca ka fituar 54 mijë e 731 vota ose 6.74 për qind që ia sigurojnë 7 ulëse në Kuvend.
