Të fundit

Sindikata e Policisë: Pezullimi i gradimeve ka krijuar pasiguri, procesi të rifillojë sa më shpejt

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, e ka vlerësuar pezullimin e procesit të gradimit si një zhvillim të padëshiruar që ka ndikuar tek zyrtarët policorë dhe pritjet e tyre për avancim profesional.

Ai ka theksuar nevojën që proceset e gradimit të jenë të rregullta, të parashikueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas Hotit, një nga problemet kryesore që ka çuar në situatën aktuale është mungesa e organizimit të testeve për gradim për një periudhë të gjatë, duke lënë pa mundësi avancimi disa gjenerata të zyrtarëve policorë.

“Problemi kryesor mbetet periudha e gjatë gjatë së cilës nuk janë organizuar teste për gradim, çka ka ndikuar në disa gjenerata zyrtarësh që kanë mbetur pa mundësi avancimi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me paqartësi procedurale, përfshirë anulimin e disa proceseve të mëhershme, gjë që ka krijuar pasiguri dhe perceptim negativ te zyrtarët policorë.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre që prej vitesh presin avancim në karrierë.

“Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, theksoi ai.

Lidhur me transparencën dhe meritokracinë në procesin e gradimit, Hoti ka vlerësuar se baza ligjore ekziston, por zbatimi praktik i saj kërkon përmirësime.

“Sindikata vlerëson se kriteret ligjore ekzistojnë dhe synojnë transparencë dhe meritokraci, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë ka nevojë për përmirësim. Rishikimi i procedurave dhe respektimi i qartë i kalimit nga grada në gradë do të ndihmonte që procesi i gradimit të jetë më i drejtë dhe më i pranueshëm për të gjithë zyrtarët policorë.”

Sa i përket hapave të mëtejmë, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon rifillimin e procesit të gradimeve në të gjitha nivelet dhe organizimin e një konkursi të ri për gradën e Togerit.

“Sindikata rekomandon rifillimin sa më të shpejtë të procesit të gradimit për të gjitha gradat, duke filluar nga grada e Rreshterit e deri te grada e Kolonelit, në përputhje me Ligjin e Policisë së Kosovës dhe afatet kohore përkatëse. Po ashtu, kërkohet hapja e një konkursi të ri për gradën e Togerit, ku të gjithë Rreshterët e interesuar të kenë mundësi të aplikojnë. Pas këtij procesi, Sindikata vlerëson se duhet të vazhdojnë edhe gradimet për gradat e tjera, përmes një planifikimi të rregullt dhe në dialog të vazhdueshëm me menaxhmentin dhe institucionet përkatëse.”

Hoti ka theksuar se pezullimi aktual duhet të shfrytëzohet si mundësi për riorganizimin e procesit dhe rikthimin e tij në një formë që garanton siguri juridike, transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë zyrtarët policorë.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci