Presidenti i Këshillit Evropian ka nxitur reagime të ashpra te liderët e shteteve të BE-së pasi ka bërë përpjekje të hapë kanale diplomatike me Vladimir Putinin.
Numër i madh i liderëve, përfshirë Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron, i kanë thënë Antonio Costas se nuk pajtoheshin me veprimin e tij, kanë treguar burimet diplomatike për gazetën britanike The Telegraph.
Në fillim të javës është bërë e ditur se Pedro Lourtie, shefi i stafit të Costas, ka bërë disa telefonata me zyrtarët rusë në Kremlin, me shpresën e nisjes së bisedimeve të reja diplomatike për t’i dhenë fund luftës në Ukrainë.
Duke mbrojtur këtë veprim, një zyrtar i Bashkimit Evropian i përshkroi ato si “kontakte të shkurtra diplomatike me Kremlinin”.
“Qëllimi ishte të ishim të përgatitur që, kur të vijë momenti i duhur, të mbrojmë interesat e BE-së. Ajo për të cilën po flasim janë kontakte të shkurtra, pa shkëmbim mbi çështje thelbësore dhe pa negociata – diplomatët thjesht po bënin punën e tyre diplomatike”, shtoi burimi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mori pjesë në samitin e Brukselit, tha se ishte i gatshëm për negociata me Putinin, duke shtuar: “Evropa duhet ta vendosë të gjithë peshën e saj pas kësaj përpjekjeje, në mënyrë që të kemi një pozicion të fortë.”
Për këtë arsye, një diplomat i BE-së tha se një numër vendesh, përfshirë Holandën, Danimarkën dhe shtetet baltike, mbështetën pakënaqësinë franko-gjermane ndaj këtyre kontakteve të fshehta.
Parisi dhe Berlini besojnë se një qasje e tillë rrezikon të minojë përpjekjet e grupit E3 – Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca – për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave përmes vazhdimit të presionit ushtarak.
Strategjia e treshes, e cila u mbështet edhe nga Donald Trump gjatë takimit të G7 këtë javë, parashikon forcimin e kapaciteteve të Kievit për goditje me rreze të gjatë dhe shtimin e presionit ndaj ekonomisë ruse me sanksione të tjera, përpara se të nisin bisedimet.
Vendet e E3 kanë argumentuar se duke i dhënë Zelenskyt pozitën më të fortë të mundshme në negociata, ai do të jetë në gjendje ta përfundojë luftën me kushte më të favorshme.
Ata që kundërshtojnë përpjekjen e BE-së për të nisur bisedimet besojnë se është ende shumë herët dhe se pozicioni i Kievit mund të forcohet edhe më tej.
“Nuk mendoj se tani është koha për të nisur negociatat me Putinin, sepse Putini nuk dëshiron të na shohë në tryezën e bisedimeve”, tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, për Bloomberg.
“Putini respekton forcën. Putini e respekton dhe i frikësohet Shteteve të Bashkuara. A ka po aq frikë nga Bashkimi Evropian? Kam dyshimet e mia.”
Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra, hodhi poshtë çdo mundësi bisedimesh, duke paralajmëruar se ato mund të çonin deri te sulme bërthamore.
Rob Jette, kryeministri i Holandës, u tha gazetarëve në samit: “Ne, si Evropë, duhet të mendojmë: çfarë është në fund të fundit në lojë nëse përfundon në atë tryezë negociatash? Është ende shumë herët për të përcaktuar se kush mund të jetë negociatori evropian.”
Blloku evropian kishte debatuar se kush duhet të merrte përsipër këtë rol, si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Evropës për të ringjallur bisedimet e paqes të nisura nga Donald Trump, të cilat kanë mbetur në vend.
Evropa po përpiqet të marrë iniciativën në një kohë kur pozicioni i Ukrainës në fushën e betejës po përmirësohet dhe ekonomia ruse po tregon shenja dobësimi. Megjithatë, diskutimet nxorën në pah ndasitë mes vendeve evropiane, të cilat sipas disa zyrtarëve mund të dobësojnë si pozicionin e Evropës, ashtu edhe atë të Kievit në çdo negociatë për armëpushim.
Kancelari austriak Christian Stocker, kryeministri belg Bart De Wever dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni janë shprehur në favor të idesë që António Costa të marrë drejtimin e negociatave.
Megjithatë, thuhet se Meloni dhe homologu i saj polak, Donald Tusk, kanë rezerva ndaj përpjekjeve të E3, pasi ato përjashtojnë Romën dhe Varshavën.
Në një ese provokuese, Lavrov i hodhi poshtë lëvizjet evropiane, duke i cilësuar ato si “përdorim të diplomacisë si mbulesë për ambiciet ekspansioniste”. Artikulli, të cilin ministria e tij e publikoi në faqen zyrtare pasi pretendoi se Politico e kishte tërhequr në momentin e fundit, përmbante gjithashtu kërcënime për hakmarrje bërthamore.
“Dialogu me Evropën, për këtë arsye, nuk mund të zhvillohet sikur ajo të ishte një vëzhguese e paanshme e palës së tretë”, shkroi Lavrov, duke hedhur poshtë planet e paqes të E3.
“Objektivi i vërtetë i liderëve evropianë nuk është të negociojnë me Rusinë. Ai është të mbështesin regjimin e Zelenskyt dhe ta ruajnë atë si një platformë për vazhdimin e përballjes me Rusinë. Kjo gjendje paraqet kërcënime serioze për sigurinë globale.
“Një përballje e drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë mund të përshkallëzohet me shpejtësi në një shkëmbim sulmesh bërthamore, me pasoja katastrofike.”
