Deputetja e rizgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Jehona Lushaku, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën e organizimit të Testit të Maturës, duke e cilësuar situatën si padrejtësi ndaj maturantëve dhe dështim të paralajmëruar institucional.
Përmes një postimi në Facebook, Lushaku ka thënë se më herët kishte propozuar ndryshime në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e integritetit të testit.
“Si anëtare e Komisionit për Arsim në Kuvend të Kosovës kam propozuar ndryshimet në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës, dhe kam kërkuar masa konkrete për ta mbrojtur integritetin e testit: monitorim të avancuar dhe pajisje elektronike që do ta bënin të pamundur komunikimin dhe kopjimin në sallat e testimit. Ky propozim ishte refuzuar”, ka shkruar ajo.
Sipas Lushakut, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku do të duhej të jepte dorëheqje.
“Po të kishit dashur, problemin e kopjimit e kishit zgjidhur me një tender! Madje me procedurë njëburimore siç keni vepruar për qindra miliona euro në raste të tjera. Në atë rast sot këto pajisje do të ishin nëpër sallat e testimit dhe maturantëve do të iu sigurohej një ambient i sigurtë e i drejtë! Pra, ky është një dështim që është paralajmëruar, por nuk ka pasur vullnet që të përmirësohet! E kjo do të shkaktojë shumë padrejtësi në mes të nxënësve dhe e bën testin të pavlerë! Kjo Qeveri nuk e ka pasë arsimin asnjëherë prioritet dhe këtë fakt do t’a vuajnë fëmijët e Kosovës! Me dështimin e Ministrisë së Arsimit, Ministri Çeku do të duhej të jep përgjegjësi e dorëheqje menjëherë”, tha ajo.
