Të fundit

Përplasje politike në Çeki, Presidenti padit qeverinë për përjashtimin nga samiti i NATO-s në Ankara

Presidenti çek Petr Pavel tha të martën se kishte ngritur një padi kundër qeverisë, duke sfiduar vendimin e kryeministrit Andrej Babis për të mos e përfshirë atë në delegacionin qeveritar që do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Ankara në korrik.

Padia për kompetencë, e cila u paraqit në Gjykatën Kushtetuese të Çekisë, kërkon sqarime se kush ka autoritetin për të vendosur nëse kreu i shtetit mund të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Gjykata do ta shqyrtojë çështjen gjatë seancës së saj plenare të mërkurën.

Në një deklaratë, Paveli argumentoi se Babis po përpiqej ta “përjashtonte” atë nga samiti, dhe kështu “po kufizonte rolin që i ishte dhënë nga Kushtetuta”.

Presidenti theksoi se paraardhësit e tij kishin marrë pjesë në të gjitha samitet e mëparshme të NATO-s dhe se ai kishte qenë i pranishëm në çdo takim të aleancës që kur mori detyrën në vitin 2023.

Pas muajsh debatesh se kush do ta përfaqësonte Pragën në Ankara, Babis njoftoi të hënën se kreu i shtetit nuk mund t’i bashkohej delegacionit zyrtar sepse “ky samit do të jetë i ndryshëm nga të mëparshmit”.

Gjatë takimit të ardhshëm, kryeministri pritet të justifikojë vendimin e tij për të ulur shpenzimet kryesore ushtarake në rreth 1.8 përqind të PBB-së, nën objektivin prej 2 përqind të NATO-s. Lëvizja e Babiš për të përjashtuar Pavelin nga takimi mund të ketë të bëjë me kundërshtimin e ish-gjeneralit ndaj shkurtimeve , të cilat ai i konsideroi “të papërgjegjshme”.

Babiš tha të martën se, ndërsa e “respektonte” vendimin e presidentit për të ngritur padi, ai nuk “mendonte se është një ide e mirë”.

“Nuk është e përshtatshme që zyrtarët kushtetues të ngrenë padi kundër njëri-tjetrit”, shkroi ai në X.

Mosmarrëveshja është përshkallëzimi më i fundit në një marrëdhënie të tensionuar midis dy politikanëve çekë, të cilët u përballën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.

Në deklaratën e tij, Paveli këmbënguli se përplasja e fundit “nuk kishte të bënte me një karrige në një takim të huaj”, por me ndarjen e pushteteve.

“Nëse nuk do t’i mbroja këto kompetenca, do të mbaja një pjesë të përgjegjësisë për hapjen e derës për kufizim të mëtejshëm arbitrar të kompetencave të zyrtarëve kushtetues”, shkroi ai.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci