Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Qerim Lumit dhe ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Dega në Suharekë, në pjesën që i lejonte ish-bashkëshortes së tij, Shqipe Musaj-Elshani, të udhëtonte jashtë Kosovës me vajzën e tyre të mitur.
Sipas aktvendimit të Apelit, lënda është kthyer në rigjykim, pasi gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për të vlerësuar nëse largimi i fëmijës jashtë vendit është në interesin më të mirë të saj.
Kontesti mes palëve ka nisur në vitin 2021, kur Shqipe Musaj-Elshani kërkoi ndryshimin e pajtimit gjyqësor të vitit 2020, duke kërkuar, ndër të tjera, që t’i lejohej të udhëtonte dhe të jetonte jashtë Kosovës me vajzën e saj. Në anën tjetër, Qerim Lumi përmes kundërpadisë kishte kërkuar që kujdestaria e fëmijës t’i besohej atij.
Me aktgjykimin e vitit 2023, Gjykata Themelore kishte vendosur që vajza të mbetej nën kujdesin e nënës, kishte caktuar mënyrën e kontakteve me babanë dhe i kishte lejuar nënës të udhëtonte jashtë Kosovës me fëmijën për arsye familjare, turistike dhe shëndetësore.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vlerësoi se vendimi për udhëtimin jashtë shtetit nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm dhe se gjykata e shkallës së parë e kishte bazuar kryesisht vendimin në faktin se fëmija jeton me nënën e saj.
Sipas Apelit, interesi më i mirë i fëmijës nuk mund të vlerësohet vetëm nga fakti se kujt i është besuar kujdestaria, por duhet të analizohen edhe elemente të tjera, si mirëqenia dhe siguria e fëmijës, stabiliteti emocional, shkollimi, ndikimi në marrëdhëniet me prindin tjetër si dhe garancitë për vazhdimin e kontakteve me të.
Për këtë arsye, Apeli ka urdhëruar Gjykatën Themelore që në procedurën e përsëritur të kërkojë vlerësime shtesë nga Qendra për Punë Sociale dhe ekspertizë profesionale nga psikologu, përpara se të marrë një vendim të ri lidhur me kërkesën për lejimin e udhëtimit jashtë vendit.
