Futbollisti i Liverpoolit, Cody Gakpo, dhe partnerja e tij, Noa van der Bij, kanë njoftuar se kanë humbur fëmijën e tyre gjatë shtatzënisë. Gakpo, i cili aktualisht është i angazhuar me Kombëtaren e Holandës në Kampionatin Botëror, kishte bërë të ditur në fund të muajit maj se çifti ishte në pritje të fëmijës së tyre të dytë.
Në një njoftim prekës në rrjetet sociale, Van der Bij konfirmoi se fëmija i tyre, një djalë i quajtur Elijah, ka ndërruar jetë. “Me zemra të thyera, ndajmë lajmin dëshpërues se djali ynë ka ndërruar jetë gjatë shtatzënisë”, shkroi ajo, duke shtuar se fëmija do të mbetet përgjithmonë i dashur për ta.
Ajo ndau gjithashtu një moment personal pas ngjarjes, duke treguar se kishin ndezur një qiri në kishë. Më pas, ata vizituan kopshtin e kishës ku takuan një fëmijë tjetër me emrin Elijah. Van der Bij e përshkroi këtë rastësi si një shenjë nga Zoti, duke shtuar se kjo u kujtoi atyre se djali i tyre nuk është larg. Ajo falënderoi publikun për dashurinë dhe mbështetjen e treguar.
Van der Bij ishte e pranishme në stadium për të mbështetur Gakpon në ndeshjen hapëse të Holandës kundër Japonisë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2. Që nga ajo kohë, Gakpo ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Ronald Koemanit, duke ndihmuar Holandën të kualifikohet në fazën tjetër si fituese e Grupit F.
Në fitoren 5-1 kundër Suedisë, Gakpo kontribuoi me dy gola dhe një asistim. 27-vjeçari ka qenë titullar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve. Ai pritet të jetë pjesë e formacionit edhe në ndeshjen e radhës kundër Marokut, e cila do të zhvillohet të martën.
Burimi: independent.co.uk
