Satiristi i njohur, Weird Al Yankovic, ka bërë të ditur se ka refuzuar një ofertë financiare për të marrë pjesë në një reklamë të një softueri biznesi, pasi kuptoi se projekti përfshinte inteligjencën artificiale. Yankovic e ndau këtë përvojë gjatë një interviste për Syracuse.com, në prag të ndalesës së turneut të tij “Bigger & Weirder” në Syracuse, New York.
Yankovic shpjegoi se fillimisht kishte pranuar të merrte pjesë në reklamë, pasi ishte informuar se bëhej fjalë për një softuer që do të rriste produktivitetin në biznes. “Nuk jam adhurues i inteligjencës artificiale. Mendova se nuk mund të jem fytyra e saj, ndaj hoqa dorë”, deklaroi ai.
Artisti pranoi se u ndje keq për tërheqjen nga projekti në minutën e fundit, por theksoi se qëndrimi i tij ndaj kësaj teknologjie mbetet i palëkundur. Ai gjithashtu përmendi se është në dijeni të shakasë që qarkullon në internet lidhur me emrin e tij dhe akronimin “AI”.
Regjisori i “Backrooms”, Kane Parsons, e ka cilësuar inteligjencën artificiale si “vërtet të dëmshme”, ndërsa aktorja Emma Thompson ka deklaruar se teknologjia i ka shkaktuar “irritim të madh” në procesin e saj krijues.
Edhe Madonna ka shprehur qëndrim kritik ndaj kësaj çështjeje. Në një intervistë për Vogue Italia, ajo deklaroi se algoritmet dhe inteligjenca artificiale janë në kundërshtim me marrjen e rreziqeve, që sipas saj, është thelbësore për krijimin e artit. Megjithatë, burimet vënë në dukje se filmi i shkurtër i Madonnës, “Confessions II”, është mbështetur në punën e disa artistëve që përdorin inteligjencën artificiale.
Burimi: variety.com
