Dy kompani private të hapësirës, True Anomaly dhe Rocket Lab, përfunduan javën e kaluar një mision orbital për US Space Force, të quajtur “Victus Haze”. Satelitët e tyre, Jackal dhe Puma, u takuan në orbitë, ku njëri arriti të kapë imazhe të tjetrit. Ky ushtrim demonstroi inspektimin e afërt të një mjeti hapësinor menjëherë pas mbërritjes së tij në orbitë, një nevojë kjo në një kohë kur SHBA-ja, Rusia dhe Kina po vendosin armë të reja në hapësirë.
Misioni i qershorit përfshinte lansimin e anijes “Puma” nga Rocket Lab, vetëm 16 orë e 42 minuta pas marrjes së njoftimit. Një anije “Jackal”, e ndërtuar nga True Anomaly, ishte në orbitë dhe përdori sensorët në bord për të identifikuar objektivin nga 2,000 kilometra largësi. Jackal u afrua te Puma – distanca e saktë mbetet e klasifikuar – dhe kreu rrotullime rreth saj për të fotografuar pjesë të ndryshme të mjetit, përpara se të kthehej në pozicionin fillestar.
CEO i True Anomaly, Even Rogers, deklaroi se misioni adreson boshllëqet në aftësitë e mbledhjes së të dhënave të ushtrisë amerikane. Sipas tij, përveç misioneve me njerëz të NASA-s dhe Space Force, ky është ndoshta takimi më kompleks mes dy anijeve në historinë moderne.
Kompania synon të konkurrojë për urdhra të rinj, veçanërisht në programin “Andromeda” të Space Force, i cili vlen 6.2 miliardë dollarë. Seth Winterroth, anëtar i bordit të True Anomaly, vlerësoi se suksesi i kompanisë bazohet në kuptimin e thellë të taktikave dhe doktrinës në këtë fushë.
Në javët në vijim, kompanitë planifikojnë ushtrime të reja me vështirësi të shtuar. Këto skenarë mund të përfshijnë përpjekjet e anijes Puma për t’iu shmangur Jackal-it, si dhe kryerjen e manevrave të pavarura të inspektimit.
Burimi: techcrunch.com
