Artan Behrami ka reaguar ndaj kritikave që po bëhen për protestën e fermerëve të qumështit, duke i cilësuar sulmet ndaj tyre si të pandershme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Behrami ka thënë se forma të ngjashme proteste janë përdorur edhe në vende të ndryshme të Evropës nga fermerët e qumështit.
Ai ka theksuar se fermerët evropianë kanë derdhur në mënyrë demonstrative qumësht në ara, pranë ndërtesave qeveritare, madje edhe në lumenj, si shenjë proteste ndaj politikave dhe çmimeve që i kanë konsideruar të padrejta.
Behrami ka përmendur edhe një rast të njohur të ndodhur më 19 shtator 2009, kur fermerë nga Gjermania dhe Franca derdhën simbolikisht qumësht në lumin Rhein, në urën që lidh qytetet Strasbourg dhe Kehl.
Sipas tij, protestat e fermerëve të qumështit në Kosovë nuk duhet të paragjykohen, pasi metoda të ngjashme janë përdorur edhe nga fermerët në shtete të tjera evropiane.
