Sipas një raporti të publikuar nga The Independent, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishikimin e dënimit me një ndeshje të sulmuesit amerikan, Folarin Balogun. Kjo thirrje ka ndodhur përpara se Komiteti Disiplinor i FIFA-s të merrte vendimin për pezullimin e kartës së kuqe të lojtarit.
Komiteti Disiplinor i FIFA-s njoftoi se po aplikon nenin 27 të Kodit Disiplinor, i cili lejon pezullimin e sanksioneve. Si rrjedhojë, Balogun do ta vuajë dënimin vetëm nëse kryen një shkelje të ngjashme brenda 12 muajve të ardhshëm.
Donald Trump e përshëndeti këtë vendim përmes platformës së tij, Truth Social, duke falënderuar FIFA-n për, siç u shpreh ai, “kthimin e një padrejtësie të madhe”. Shtëpia e Bardhë gjithashtu reagoi në rrjetin social X, ndërsa US Soccer deklaroi se janë të kënaqur që Balogun është i gatshëm për ndeshjen e radhës. Trajneri Mauricio Pochettino u shpreh se e feston këtë vendim.
Federata belge njoftoi se po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme, duke argumentuar se vendimi bie në kundërshtim me nenin 66.4 të Kodit Disiplinor dhe nenin 10.5 të rregullores së turneut, të cilat parashikojnë pezullim automatik pas një kartoni të kuq.
Lojtarët e ekipit amerikan, përfshirë Christian Pulisicin, deklaruan se e kishin marrë vesh lajmin përmes rrjeteve sociale gjatë rrugës për në stërvitje. FIFA, në një deklaratë zyrtare, theksoi se organi gjyqësor ka diskrecionin për të pezulluar plotësisht ose pjesërisht zbatimin e një sanksioni disiplinor.
Burimi: independent.co.uk
