Super Tajfuni Bavi ka goditur ishujt e territorit amerikan në Paqësorin perëndimor, pranë Guamit. Syri i stuhisë kaloi mbi ishullin Rota, pjesë e Ishujve Mariana Veriore, të hënën në mëngjes, duke sjellë erëra me shpejtësi mbi 241 km/h (150 mph), shpejtësi kjo e barabartë me një uragan të kategorisë së pestë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së (NWS).
Autoritetet lokale në Rota kanë raportuar për “dëme të mëdha” të shkaktuara nga stuhia. Në momentin kur stuhia goditi ishullin, NWS u bëri thirrje banorëve përmes rrjeteve sociale që t’i trajtojnë erërat ekstreme si një tornado dhe të zhvendosen menjëherë në dhoma të brendshme ose strehimore.
Përveç Rotas, paralajmërime për tajfun dhe përmbytje të shpejta janë në fuqi për Guamin, Tinianin dhe Saipanin. Për ishujt e tjerë në zonë janë lëshuar paralajmërime dhe vëzhgime për stuhi tropikale. Shërbimi i motit parashikon se stuhia mund të sjellë të paktën 51 cm (20 inç) shi në rajon.
Guvernatori i Guamit, Lou Leon Guerrero, u ka bërë thirrje banorëve përmes një videoje të publikuar të dielën që të qëndrojnë në shtëpi ose në strehimore. Stuhia po lëviz drejt perëndimit, në drejtim të Filipineve, me një shpejtësi prej rreth 14 km/h (9 mph).
Ishujt Mariana Veriore dhe Guami, të cilët janë territore të SHBA-së, kanë një popullsi të përbashkët prej rreth 210,000 banorësh. Kjo zonë është ende në proces rimëkëmbjeje nga Super Tajfuni Sinlaku, i cili goditi rajonin në mes të muajit prill. NWS thekson se Bavi po kalon përmes rajonit me një ritëm më të shpejtë se stuhia e mëparshme.
Burimi: aljazeera.com
