Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që nesër të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Gjykata Supreme e Kosovës njoftoi të martën se ka refuzuar të gjitha ankesat të ushtruara kundër vendimeve të PZAP-së dhe rezultateve të KQZ-së, duke i hapur kështu rrugë certfikimit të rezultatit.
Sipas një njoftimi nga KQZ, nesër pritet të mbahet mbledhja ku si pikë e rendit të ditës është edhe certifikimi i rezultateve përfundimtare të 7 qershorit.
“Ju njoftoj se të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, thuhet në njoftim.
