Të fundit

Irani thotë se ka sulmuar bazat amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se kanë goditur objekte ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj valës së fundit të sulmeve ushtarake amerikane kundër Iranit.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në të dyja vendet.

Kuvajti njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po u përgjigjeshin kërcënimeve nga raketat dhe dronët, ndërsa Ministria e Brendshme e Bahrejnit u bëri thirrje banorëve të strehohen.

Më herët, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë të re sulmesh ndaj Iranit dhe hoqën një përjashtim nga sanksionet që i lejonte Teheranit të shiste naftë në rrethana të caktuara.

Uashingtoni e akuzoi Iranin se ka sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke vënë në rrezik armëpushimin e brishtë mes dy vendeve.

Përshkallëzimi i ri konsiderohet si kriza më e rëndë që nga nënshkrimi, muajin e kaluar, i një memorandumi 60-ditor mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte uljen e tensioneve dhe rikthimin e qarkullimit normal në Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.

Ushtria amerikane tha se sulmet u kryen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që, sipas saj, Irani kreu ndaj tri anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Mes tyre ishte edhe një anije e Katarit që transportonte gaz të lëngshëm natyror (LNG).

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet iraniane kishin në shënjestër anije tregtare me ekuipazhe civile që po lundronin në një rrugë ujore ndërkombëtare.

“Veprimet e Iranit ishin të pajustifikueshme, të rrezikshme dhe përbëjnë shkelje të qartë të armëpushimit”, thuhet në reagimin e CENTCOM-it.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa pjesë të jugut të vendit, përfshirë ishullin Keshm, qytetin Sirik dhe zonën pranë portit strategjik Bandar Abas.

Autoritetet amerikane nuk thanë se cilat objekte u goditën.

Sulmet ndodhën ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, gjendet në samitin e NATO-s në Ankara, ku pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e aleancës për të diskutuar krizën me Iranin, shpenzimet për mbrojtjen dhe çështje të tjera të sigurisë.

Uashingtoni rikthen presionin ekonomik

Krahas sulmeve ushtarake, Shtetet e Bashkuara rikthyen edhe presionin ekonomik ndaj Iranit.

Departamenti amerikan i Thesarit shfuqizoi autorizimin që i lejonte Iranit të shiste naftë në kuadër të lehtësimeve të përkohshme të sanksioneve, të miratuara pas memorandumit të mirëkuptimit, muajin e kaluar.

Një zyrtar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi pasqyron qëndrimin e kahershëm të administratës amerikane se çdo lehtësim i sanksioneve varet nga respektimi i marrëveshjes nga ana e Iranit.

“Siç kanë theksuar vazhdimisht presidenti Trump dhe administrata e tij, memorandumi me Iranin bazohet tërësisht në përmbushjen e detyrimeve. Irani do të përfitojë vetëm nëse respekton marrëveshjen dhe tregon sjellje konstruktive”, tha zyrtari.

Ai shtoi se sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit ishin “plotësisht të papranueshme” për Shtetet e Bashkuara dhe se ato “do të kenë pasoja”.

Megjithatë, sipas tij, negociatorët amerikanë vazhdojnë të punojnë “me mirëbesim” për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin.

Përjashtimi nga sanksionet, i cili ishte paraparë të mbetej në fuqi deri më 21 gusht, i lejonte Iranit të eksportonte sasi të kufizuara të naftës së papërpunuar dhe të kryente disa transaksione financiare, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar lundrim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Uashingtonit, Irani e shkeli këtë marrëveshje duke sulmuar anije që po lundronin në një korridor detar të mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara pranë Omanit, në vend të rrugës veriore që Teherani kishte kërkuar të përdorej.

Sipas zyrtarëve të sigurisë detare, në sulmet e fundit u goditën tri anije tregtare, përfshirë cisternën e Katarit për transportin e gazit të lëngshëm natyror (LNG), Al Rekayyat.

Raportohet se ekuipazhi i saj kërkoi ndihmë pasi një dron shpërtheu pranë dhomës së motorëve.

Pas incidenteve, Qendra e Përbashkët për Informacion Detar e ngriti nivelin e rrezikut për anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në shkallën “shumë të lartë”.

Sulmet u dënuan menjëherë nga vendet e rajonit.

Katari e cilësoi sulmin ndaj njërës prej anijeve të tij si “shkelje serioze dhe të hapur” të së drejtës ndërkombëtare, duke deklaruar se Irani do të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore.

Edhe Arabia Saudite tha se Teherani po rrezikon lirinë e lundrimit ndërkombëtar dhe furnizimin global me energji.

Irani akuzon SHBA-në për shkelje të marrëveshjes

Teherani hodhi poshtë arsyetimin e Uashingtonit për sulmet dhe e akuzoi SHBA-në se ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se rikthimi i sanksioneve ndaj shitjeve të naftës iraniane përbën shkelje të paragrafit 10 të Marrëveshjes së Islamabadit, e nënshkruar më 18 qershor.

Në një deklaratë me tone të ashpra, ministria tha se, gjatë tri javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer “shkelje të vogla dhe të mëdha” të marrëveshjes.

Teherani paralajmëroi se do të ndërmarrë “çdo masë që e konsideron të nevojshme” për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e tij kombëtare, ndërsa përgjegjësinë për pasojat e kësaj “shkeljeje të angazhimeve” ia atribuoi Uashingtonit.

Irani vazhdon të këmbëngulë se memorandumi i mirëkuptimit i jepte atij, në koordinim me Omanin, përgjegjësinë kryesore për rihapjen dhe menaxhimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Rreziqe për diplomacinë

Analistët vlerësojnë se rikthimi i sanksioneve rrit presionin ndaj Iranit, por, njëkohësisht, mund të rrezikojë procesin e brishtë diplomatik, në një kohë kur negociatat ende nuk kanë përfunduar.

Brett Erickson, ekspert i sanksioneve në kompaninë Obsidian Risk Advisors, vë në pikëpyetje nëse shfuqizimi i përjashtimit nga sanksionet, do t’i japë Uashingtonit ndikim të rëndësishëm ekonomik.

“Sipas fakteve, nuk kishte arsye për një shqetësim të tillë. Gjatë kohës sa ishte në fuqi kjo leje, Irani eksportoi dhjetëra miliona fuçi naftë, por nuk pamë që, përveç Kinës, të shfaqeshin blerës të rinj në numër të madh”, tha Erickson për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, lehtësimi ekonomik që iu ofrua Iranit rezultoi të ishte mjaft i kufizuar.

“Tani, shfuqizimi i tij rrezikon të shembë të gjithë memorandumin e mirëkuptimit për një përfitim që, në praktikë, nuk rezultoi të ishte aq i rëndësishëm”, tha ai.

Zineb Riboua, studiuese në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme pranë Institutit Hudson, i tha Radios Evropa e Lirë se administrata amerikane mund ta ketë përdorur rikthimin e sanksioneve si një mjet shtesë presioni në negociata dhe jo si shenjë të braktisjes së diplomacisë.

Sipas saj, mosmarrëveshjet për asetet e ngrira iraniane kanë mbetur të pazgjidhura gjatë gjithë procesit të negociatave.

Ajo vlerësoi se masa e fundit mund të synojë forcimin e pozitës negociuese të Uashingtonit përpara skadimit të periudhës 60-ditore të bisedimeve.

Megjithatë, Riboua paralajmëroi se kjo strategji bart rreziqe të konsiderueshme, veçanërisht për tregjet globale të energjisë./REL

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci