Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka lënë të kuptohet se mund të shpallë një ditë pushimi nëse Anglia fiton Kampionatin Botëror. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk dëshiron të ndikojë negativisht te skuadra duke e shpallur këtë vendim përpara kohe. Gjatë një prononcimi për gazetarët në samitin e NATO-s, Starmer u shpreh: “Nuk dua të sjell ters, por më pyesni përsëri nëse arrijmë në finale”.
Sipas informacioneve, dita e pushimit mund të jetë e premtja, 24 korrik, çka do t’i jepte skuadrës kohë të mjaftueshme për t’u kthyer nga ndeshja finale e planifikuar për të dielën e mëparshme.
Anglia, e cila siguroi një fitore 3-2 ndaj Meksikës, po përgatitet për ndeshjen çerekfinale kundër Norvegjisë që do të zhvillohet në Miami këtë të shtunë. Starmer e cilësoi fitoren ndaj Meksikës si “një nga performancat më të mira të Anglisë” që ka parë ndonjëherë.
Në një bisedë me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre, Starmer bëri shaka duke thënë se Anglia fiton Botërorin vetëm nën qeverisjen e Partisë Laburiste. Ai gjithashtu sqaroi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të anuluar kartonin e kuq të lojtarit Jarell Quansah, pavarësisht mesazheve të shumta që ka marrë për këtë çështje.
Ndërkohë, liderja konservatore Kemi Badenoch ka deklaruar se “ndoshta jo” do ta mbështeste një ditë pushimi nëse Anglia fiton. Ajo argumentoi se një masë e tillë do të sillte situatën ku sektori privat do të vazhdonte punën, ndërsa sektori publik do të pushonte, duke krijuar kosto shtesë. Në qershor, Skocia shpalli një ditë pushimi për të shënuar pjesëmarrjen e vendit në finalet e futbollit për meshkuj, pas një propozimi të kryeministrit John Swinney, të miratuar nga Mbreti Charles.
Burimi: independent.co.uk
