Këngëtarja kolumbiane Karol G ka nisur një konkurs në Shtetet e Bashkuara, përmes të cilit fansat mund të fitojnë një palë bileta për të ndjekur turneun e saj. Për të marrë pjesë, fansat duhet të përgatisin “Chellita Sunrise”, i cili është shpallur si kokteili zyrtar i turneut, dhe të publikojnë një video në Instagram ose TikTok ku i dedikojnë një dolli dikujt të veçantë.
Kokteili, i cili karakterizohet nga ngjyrat e kuqe dhe të verdhë, është frymëzuar nga macaw, një simbol i kulturës latine që shfaqet edhe në logon e turneut. Pija përmban tequila “200 Copas” nga Casa Dragones, e cila është emëruar pas hitit të vitit 2021 të Karol G-së. Kjo tequila prodhohet nga agavet e rritura në Jalisco dhe është e vjetëruar për më shumë se një vit në fuçi lisi amerikan.
Rregullat e konkursit përcaktojnë se videot e dërguara nuk duhet të shfaqin konsum të tepruar të alkoolit, dehje, apo sjellje të pasigurta dhe të paligjshme. Ky koktej do të jetë i disponueshëm për shitje gjatë turneut të titulluar “Viajando Por El Mundo TropiTour”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se mundësitë për koncerte të ngjashme për fansat në Meksikë, Kolumbi dhe tregje të tjera ndërkombëtare do të shpallen në një kohë të mëvonshme.
Në fillim të këtij viti, Karol G ishte kryesuesja e festivalit Coachella. Gjatë setit të saj, ajo mbajti një fjalim duke iu drejtuar komunitetit latin në Shtetet e Bashkuara. Ajo theksoi rëndësinë e unitetit, rezistencës dhe shpirtit të fortë, duke u bërë thirrje të pranishmëve që të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre dhe të mos ndiejnë frikë.
Burimi: variety.com
