Të fundit

27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

Organizata “Albanians For America” ka përkujtuar Agronin, Mehmetin dhe Ylli Bytyqin në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të dalin para drejtësisë.

Organizata rikujton se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por më pas u arrestuan, u dënuan me burg nga autoritetet serbe dhe u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë.

Albanians For America thotë se edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar.

“Jo çdo krim mbetet i pazbardhur për mungesë provash. Disa mbeten të pazbardhura sepse mungon vullneti politik. Rasti i vëllezërve Bytyqi është një prej tyre. Rrethanat e arrestimit, transferimit dhe ekzekutimit të tyre përjashtojnë çdo pretendim se bëhej fjalë për një akt të izoluar. Megjithatë, pas gati tri dekadash, Serbia ende nuk ka identifikuar, arrestuar dhe dënuar urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi. Nëpërmjet obstruksioneve, shteti serb sistematikisht ka dëshmuar mungesë vullneti që çështja e Vëllezërve Bytyqi të marrë epilog dhe që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Sipas saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura nga zyrtarët serbë, familja Bytyqi ende pret që autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi.

Përpjekja e “drejtësisë” serbe për t`i fshehur gjurmët e krimit dhe për t`i mbrojtur të përfshirët në krim ka bërë që pala amerikane të jetë vazhdimisht e angazhuar që ky rast të mos heshtet.

Kësisoj, FBI-ja dhe autoritetet amerikane hapën hetimet e tyre paralelisht me ato serbe. Kongresi amerikan ka miratuar rezoluta të posaçme, ndërkaq Komiteti për Punët e Jashtme ka zhvilluar seanca dëgjimore.

Republikanë dhe demokratë kanë folur me një zë të vetëm. Çdo administratë amerikane, pa përjashtim, ka kërkuar të njëjtën gjë, identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve dhe urdhërdhënësve. Por, pavarësisht kësaj, 27 vjet pas vrasjes së Vëllezërve Bytyqi dosja mbetet e hapur, pa epilog dhe pa gatishmëri të palës serbe për ta mbyllur atë me triumfin e drejtësisë.

Serbia ka kërkuar ndër vite partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, mbështetje ekonomike, investime dhe rol më të madh në arkitekturën evropiane të sigurisë. Por, mbi këto marrëdhënie vazhdon të rëndojë hija e Petrovo Selos. Për Washingtonin, rasti Bytyqi është dosje e pazgjidhur e krimeve të luftës, sepse janë në pyetje tre shtetas amerikanë të ekzekutuar brutalisht pasi ishin liruar me vendim gjykate dhe ishin marrë nën kontroll nga forcat shtetërore serbe.

Kalimi i kohës nuk e ndryshon përgjegjësinë, vetëm e bën më të dukshëm dështimin për ta ushtruar atë”, thuhet në reagim.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci