Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të premte lidhur me, sipas tij, një sulm të organizuar ndaj faqeve të bizneseve shqiptare në Google, duke deklaruar se autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e kompanisë për të rikthyer vlerësimet e sipërmarrjeve të prekura.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilëson ngjarjen si një “turp alla shqiptarçe” dhe akuzon organizatorët e protestës së flamingove se kanë orkestruar një “sulm të padëgjuar kriminal” përmes mijëra llogarive të krijuara enkas, me qëllim uljen e vlerësimeve të hoteleve, bujtinave dhe restoranteve.
Kryeministri shton se Policia e Shtetit po vijon hetimet për skemën që ai e cilëson kriminale, ndërsa falë bashkëpunimit me Google, sipas tij, bizneseve po u rikthehen vlerësimet e humbura.
Statusi i plotë i Kryeministrit Edi Rama
“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve.
Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm.
