Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, të zbatojë reforma në fushën e sundimit të ligjit, të forcojë standardet demokratike dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën nëse dëshiron të përparojë drejt anëtarësimit në BE – ka deklaruar Parlamenti Evropian në publikimin e tij më të fundit në rrjetet sociale, transmeton Paparaci.
“Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së”, thuhet në deklaratën e Parlamentit Evropian, duke theksuar se përparimi drejt anëtarësimit është i mundur vetëm përmes reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike.
Në të njëjtin publikim përmendet shprehimisht edhe kërkesa për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të domosdoshme për zgjidhjen e krizës politike”, ka theksuar Parlamenti Evropian.

Mesazhi më i fundit i Parlamentit Evropian vjen vetëm pak ditë pasi ky institucion miratoi rezolutën për Serbinë me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.
Në dokument vlerësohet se Serbia nuk ka shënuar përparim në rrugën e saj drejt integrimit evropian, kryesisht për shkak të prapambetjes në fushën e sundimit të ligjit dhe mosharmonizimit me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, Parlamenti Evropian kritikoi autoritetet serbe për gjendjen e demokracisë, kushtet zgjedhore, lirinë e mediave, mënyrën e trajtimit të protestave dhe marrëdhëniet me Kosovën.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se situata në vend është përkeqësuar më tej gjatë vitit të kaluar, duke theksuar, sipas tij, dobësimin e vazhdueshëm të institucioneve, të drejtave politike dhe lirive qytetare./Paparaci.com
