Irani është përgjigjur ndaj një vale të re sulmesh nga forcat amerikane duke goditur bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në disa shtete të Gjirit. Ky zhvillim ka thelluar tensionet lidhur me ngushticën strategjike të Hormuzit. Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kishin për cak bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein, Jordani, Oman dhe Katar, duke i cilësuar ato si masa hakmarrëse ndaj bombardimeve të reja të SHBA-së.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të dielën se forcat amerikane goditën dhjetëra objektiva në lokacione të ndryshme për të dobësuar aftësinë e Teheranit për të sulmuar anijet që kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit. Operacioni përfshiu goditjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, radarëve bregdetarë, kapaciteteve të raketave dhe dronëve, si dhe anijeve të vogla.
Ky shkëmbim zjarri ka shtuar dyshimet mbi të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme të paqes, e cila ishte nënshkruar muajin e kaluar për të mundësuar rihapjen e ngushticës së Hormuzit pas 60 ditësh negociatash.
Si pasojë e përshkallëzimit, çmimet e naftës shënuan rritje të hënën në mëngjes. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent me dorëzim në shtator u rritën për 4%, duke u tregtuar me 79.02 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane (WTI) me dorëzim në gusht u rrit për 4.1%, duke arritur në 74.27 dollarë.
Kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi në rrjetet sociale se epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka përfunduar. Ai publikoi një imazh të Nenit 5 të memorandumit SHBA-Iran, që lidhet me rihapjen e ngushticës. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se, ndonëse palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, armëpushimi i vendosur në marrëveshjen e muajit të kaluar është anuluar.
Burimi: cnbc.com
