Të fundit

Kush është Zejnullah Gashi, i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit?

Pas 26 vitesh karrierë në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka arritur në majat e sistemit prokurorial.

Të hënën, prokurori me origjinë nga Prizreni u nominua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në votimin e fshehtë të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ai siguroi pesë vota të anëtarëve, duke u propozuar për këtë post.

Gashi ka një karrierë të gjatë në institucione. Ai është pjesë e strukturave shtetërore të sigurisë dhe drejtësisë që nga viti 2000.

Deri në vitin 2010, Zejnullah Gashi punoi në Policinë e Kosovës në Stacionin Policor në Prizren. Aty u gradua deri në pozitën shef i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Në vitin 2010, Gashi, jurist me profesion, u dekretua si gjyqtar në sistemin gjyqësor. Shërbeu për pesë vjet si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Më 2015, u dekretua si prokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren. Ushtroi edhe funksionin e zëvendëskryeprokurorit të kësaj Prokurorie. Në të njëjtën kohë, Gashi përfaqësoi Prokurorinë Themelore në Prizren si anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Nga viti 2023 deri sot, Gashi vazhdon të ushtrojë pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Disa muaj më parë, më 26 mars të këtij viti, Gashi u shfaqur në shoqërinë e disa funksionarëve të lartë shtetërorë në Bratisllavë të Sllovakisë. Udhëtoi atje për ndeshjen futbollistike mes Sllovakisë dhe Kosovës.

Një fotografi e realizuar në stadiumin e Bratisllavës, e shfaqte Gashin në shoqërinë e tre kryetarëve të komunave, përfshirë Përparim Ramën e Prishtinës, nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe ministrit Blerim Gashani.

Në fotografi shihet edhe Trim Ademi, djali i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. I pari i federatës ishte hetuar disa herë penalisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e udhëheq Gashi.

Në maj të këtij viti, portali Kallxo.com publikoi një hulumtim për një takim të Zejnullah Gashit me ish-ministren e Drejtësisë, tashmë u.d. presidenten, Albulena Haxhiu. Takimi ishte zhvilluar më 2024.

Hulumtimi mbështetet në një kallëzim penal të deponuar në Prokurorinë Speciale nga Policia e Kosovës.

Sipas këtij kallëzimi, Kryeprokurori Gashi i kishte shkuar Haxhiut pa paralajmërim në zyrë në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas një deklarate të Haxhiut dhënë hetuesve policorë, Gashi i ishte sqaruar ministres për një rast që po e hetonte Prokuroria Themelore në Prishinë.

I ndjekur penalisht në këtë rast ishte Lavdim Krasniqi, një kushëri i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ish-ministres së Drejtësisë.

Sipas Haxhiut, Gashi i ishte sqaruar asaj se nuk ishte duke e hetuar Lavdim Krasniqin për hakmarrje politike. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci