“Për Malvinat [Ishujt Falkland], për Diegon, për Botërorin e fundit të Leos – Argjentinë, dua të të shoh kampione bote për herë të dytë radhazi.”
Kjo këngë, e kënduar nga futbollistët e Argjentinës pas fitores ndaj Egjiptit, i kushtohet triumfit në Kupën e Botës por përmban edhe mesazhe që lidhen me mosmarrëveshjen historike me Mbretërinë e Bashkuar rreth Ishujve Falkland.
Ishujt Falkland, të cilët argjentinasit i njohin me emrin Malvinas, zotërohen nga britanikët që nga viti i largët 1883 edhe pse ndodhen vetëm 483 kilometra larg nga brigjet e Argjentinës, në jug të Oqeanit Atlantik.
Pikërisht ky territor rikthen në vëmendje tensionet mes dy vendeve para sfidës gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Sfida e të mërkurës Argjentinë-Angli, bart me vete historinë e një rivaliteti që shkon përtej futbollit.
Për shumë argjentinas, përballjet me Anglinë zgjojnë kujtimet e Luftës së Falklandit të vitit 1982, një konflikt i shkurtër, por me pasoja të thella në kujtesën kolektive të vendit.
Në vitin 1982 Argjentina kishte pushtuar ishujt, por vetëm pas dy muajsh Britania ktheu administratën e saj, pas 74 ditësh luftime të ashpra. Qytetarët e Ishujve Falkland, në një referendum të vitit 2016 janë deklaruar 99.8% britanikë.
Por, Argjentina vazhdon ende ta konsiderojë territorin si të sajin dhe si “të pushtuar ilegalisht” nga Mbretëria e Bashkuar.
Katër vjet më parë, në debatin për sovranitetin e Ishujve Falkland u përfshi edhe Kosova.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2022, miratoi dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision paqeruajtës në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Ushtarët e FSK-së zbarkuan atë vit në Falkland.
Vendimi nxiti reagime të ashpra në Argjentinë, e cila i dërgoi notë proteste Mbretërisë së Bashkuar kundër pranisë së ushtarëve kosovarë në Falkland.
Edhe sot, më shumë se katër dekada pas luftës, çështja e Ishujve Falkland mbetet një plagë e hapur në marrëdhëniet mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Për këtë arsye, sfida e të mërkurës mes dy vendeve mbart një simbolikë që shkon përtej sportit.
