Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se partia e tij nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Albin Kurti lidhur me ofertën dhe gjashtë pikat që ata ia kanë paraqitur atij, për tejkalimin e ngërçit politik.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Ramadani tha se, ndonëse Aleanca ka treguar vullnet për të ofruar zgjidhje, deri më tani nuk ka parë asnjë reflektim nga pala tjetër.
“Përkundër krejt vullnetit të Aleancës dhe ofertës tonë nuk kemi marrë përgjigje. Unë jam i vetëdijshëm kur them që kemi bërë ofertë, kjo nuk e ul vlerën e Aleancës sipas nesh, përkundrazi e rrit vlerën e saj. Që nga 26 qershori e kemi bërë ofertën, por nuk kemi parë reflektim”, deklaroi Ramadani.
Ai u shpreh skeptik se do të ketë ndryshim të qasjes nga Kurti, duke thënë se nuk sheh shenja që ekziston vullnet për t’iu përgjigjur kërkesave të Aleancës.
“A presim reflektim? Dorën në zemër, jo, sepse nuk po shihet që ka qëllim për këtë”, tha ai.
Ramadani kritikoi edhe ftesën e Kurtit për takim në funksion të krijimit të institucioneve, duke e cilësuar atë si të panevojshme.
“Ne e kemi parë totalisht të panevojshëm takimin në ftesën që e ka bërë Kurti për krijimin e institucioneve, për krejt arsyet që i kemi përmendur deri tash”, u shpreh më tej Ramadani.
Megjithatë, ai theksoi se Aleanca mbetet e gatshme të diskutojë për secilën nga gjashtë pikat e propozuara, jo si pjesë e negociatave ndërpartiake, por në aspektin e zbatimit të tyre.
“Nëse flasim për pikat veç e veç dhe për mënyrën e zotimit për to, normalisht që jemi të gatshëm të flasim, jo në kuptimin e negocimit ndërpartiak, por në kuptimin e mënyrës se si mund të zotohemi dhe si mund të realizohen ato, sepse të gjitha pikat e kanë një analizë”, deklaroi Ramadani.
