Finalja e Kampionatit Botëror të FIFA-s, që do të zhvillohet të dielën në East Rutherford, New Jersey, mund të shënojë fundin e karrierës ndërkombëtare për Lionel Messin. Për 39-vjeçarin, kjo përballje kundër Spanjës është një moment domethënës, duke qenë se pikërisht kjo kombëtare kishte tentuar ta bindte atë që të përfaqësonte ngjyrat e saj në fillimet e karrierës së tij.
Rrugëtimi i Messit me Argjentinën nisi zyrtarisht më 17 gusht 2005, në një ndeshje miqësore kundër Hungarisë, ku ai u përjashtua nga loja më pak se një minutë pas debutimit. Pas një periudhe të vështirë, ku ai madje njoftoi tërheqjen nga kombëtarja një dekadë më parë pas një humbjeje ndaj Kilit në të njëjtin stadium, Messi u rikthye për të udhëhequr Argjentinën drejt dy titujve të Copa América dhe fitores në Botërorin e Katarit katër vite më parë.
Lionel Scaloni i Argjentinës dhe Luis de la Fuente i Spanjës kanë një histori të përbashkët, pasi gati një dekadë më parë, De la Fuente ishte një nga pedagogët e Scalonit gjatë kohës që ky i fundit po ndiqte kurset për licencat e trajnerit në Spanjë.
De la Fuente, i cili më herët kishte shprehur vlerësim për Julián Álvarezin, tani po planifikon strategjinë për të ndalur kombinimin e tij me Messin.
Kjo finale zëvendëson ndeshjen e planifikuar "Finalissima" mes kampionëve të Evropës dhe Amerikës së Jugut, e cila nuk u zhvillua për shkak të ngarkesës në kalendar dhe situatës politike në Lindjen e Mesme. Tani, dy skuadrat do të përballen për trofeun më të rëndësishëm në futboll.
Burimi: espn.com
